BE-ja pajtohet për rikthimin e lidhjeve të plota tregtare me Sirinë - NACIONALE

BE-ja pajtohet për rikthimin e lidhjeve të plota tregtare me Sirinë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Këshilli Evropian i ka dhënë fund pezullimit të pjesshëm të një marrëveshjeje të bashkëpunimit me Sirinë, duke i rivendosur kështu lidhjet më të plota tregtare me shtetin që po mundohet të ringrihet nga gati 14 vjet luftë civile.

Këshilli Evropian tha të hënën se kjo lëvizje shënon një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të marrëdhënieve mes Sirisë dhe Bashkimit Evropian, raporton televizioni “Al Jazeera”.

Vendimi “dërgon një sinjal të qartë politik të përkushtimit të BE-së për t’u riangazhuar me Sirinë dhe për ta mbështetur rimëkëmbjen e saj ekonomike” – thuhet më tej në deklaratën e Këshillit Evropian.

Në të njëjtën kohë, ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së u takuan në Bruksel me homologun e tyre sirian, Asaad al-Shaibani, duke filluar një dialog politik të nivelit të lartë 18 muaj pas rrëzimit të ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Pasi ishte takuar në janar në Damask me presidentin e përkohshëm sirian, Ahme dal-Sharaa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte premtuar se Evropa “do të bëjë gjithçka që mundet” për ta mbështetur rimëkëmbjen e Sirisë.

Muajin e kaluar, Komisioni propozoi që shtetet e Bashkimit Evropian ta riaktivizonin plotësisht marrëveshjen e bashkëpunimit me Sirinë.

Marrëveshja, me të cilën ishin hequr taksat ndaj importit të shumicës së produkteve industriale nga Siria, ishte pezulluar pjesërisht më 2011, kur regjimi i Asadit i kishte shtypur protestat antiqeveritare në fillimin e luftës civile./Nacionale

Lajme të ngjashme