BBC: Ukraina po sulmon në shumë fronte
Forcat ukrainase po kryejnë sulme në Bakhmut, Donetsk dhe Zaporizhia, ku duket se Ukraina është duke sulmuar në shumë fronte, sipas një reporteri të BBC-së që po raporton nga terreni.
Duke raportuar nga Zaporizhia, reporter Quentin Sommerville tha se janë parë tanke e këmbësori ukrainase në kënde të ngushta duke marrë llogore ruse. Sipas tij, duket se forcat ukrainase janë duke shënuar ca përparim, por ka pasur edhe hapa prapa, raporton televizioni BBC.
Është shumë vështirë që të gjykohet hap pas hapi se si është duke ecur kundërsulmi, pasi pritet që ai të zgjatë me muaj, raporton gazetari i BBC-së.
Rëndësia strategjike e Zaporizhias bëhet e qartë, kur pushtimi rus shihet në formën e gjysmëhënës në pjesën lindore të Ukrainës, duke u shtrirë deri në Krime.
Ajo që Ukraina e synon është që të depërtojë në rajonin e Zaporizhias, duke e siguruar qasjen në Krime.
Atje ka shumë forca ruse të përqendruara dhe thellë të rrënjosura. Ato kanë ndërtuar fortifikata me muaj, duke organizuar mbrojtje të hollësishme dhe duke vendosur mina.
Ushtria ruse ka raportuar për luftime të ashpra në Zaporizhia dhe Donetsk. Një zëdhënës i grupit “Vostok” të forcave ruse tha se 13 tanke ukrainase janë shkatërruar gjatë përleshjeve në Zaporizhia dhe tetë të tjera në Donets, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina ka refuzuar që të komentojë për ndonjë sulm që mund të jetë duke u zhvilluar dhe e ka akuzuar Rusinë për përhapje të gënjeshtrave.
Ushtria ruse u detyrua që të fshinte një video në të cilën pretendohej se shfaqej shkatërrimi i një tanku “Leopard” këtë javë, pasi objekti doli të ishte kombajnë.

