Zelensky e viziton zonën e goditur nga vërshimet në Ukrainë - NACIONALE

Zelensky e viziton zonën e goditur nga vërshimet në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar rajonin e Khersonit, ku dëmtimi i një dige të madhe ka shkaktuar vërshime masive.

Duke shkruar në aplikacionin “Telegram”, Zelensky tha se zyrtarët diskutuan për situatën operacionale në rajon, përfshirë evakuimin e njerëzve nga zonat e mundshme të vërshimeve dhe ofrimin e përkrahjes jetike për zonat që tashmë janë vërshuar, raporton televizioni BBC.

Presidenti ukrainas tha se zyrtarët diskutuan edhe për “perspektivat e restaurimit të ekosistemit të rajonit dhe për situatën operacionale ushtarake në zonën e katastrofës së bërë nga njeriu”.

“Është e rëndësishme që të përllogaritet dëmi dhe të ndahen fondet për t’i dëmshpërblyer banorët e prekur nga fatkeqësia dhe për të zhvilluar një program për dëmshpërblim për humbjet ose për rivendosjen e bizneseve brenda rajonit të Khersonit”- shkroi ai.

Zelensky vizitoi një pikë kalimi në qytet, ku njerëzit po evakuohen nga zonat e vërshuara.

Duke publikuar një video të operacioneve të shpëtimit në kanalin e tij në “Telegram”, ai u pa duke u përshëndetur e duke i diskutuar përpjekjet me punëtorët e emergjencës dhe me ushtarë.

“Detyra jonë është që të mbrojmë jetë dhe të ndihmojmë njerëz sa më shumë që është e mundshme. I falënderoj shpëtuesit dhe vullnetarët. E falënderoj secilin që është i përfshirë në këtë punë”- shkroi ai.

Lajme të ngjashme