BBC: Paralajmërimet e Izraelit për evakuime në Gaza përmbajnë shumë gabime
Paralajmërimet për evakuim, që u lëshohen banorëve të Gazës nga ushtria izraelite para sulmeve, kanë përmbajtur disa gabime të konsiderueshme, sipas një analize të televizionit BBC.
Paralajmërimet kanë përmbajtur të dhëna kundërthënëse dhe nganjëherë edhe emra të gabuar të distrikteve. Kjo i ka bërë hutuese fletushkat, raporton televizioni britanik.
Ekspertët thonë se gabime të tilla mund t’i shkelin detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit i kanë hedhur poshtë pohimet se paralajmërimet kanë qenë hutuese ose kundërthënëse.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha se paralajmërimet e analizuara nga BBC-ja janë vetëm një element i “përpjekjeve të gjera për ta inkurajuar evakuimin e civilëve nga rruga e lëndimit”.
Me të drejtën humanitare ndërkombëtare kërkohet që forcat sulmuese të japin paralajmërim efikas paraprak për sulme që mund ta prekin popullsinë civile, përpos rasteve kur rrethanat nuk lejojnë një gjë të tillë.
Izraelit thotë se sistemi i vet i paralajmërimit është i hartuar që t’u ndihmojë civilëve për t’i ikur rrezikut, përderisa po vazhdohet lufta kundër Hamasit. Përmes këtij sistemi, harta e Gazës ndahet në qindra blloqe me numra.
Autoritetet izraelite kanë publikuar një hartë të këtyre blloqeve në internet, ku shfaqet vendndodhja e përdoruesve dhe numri i bllokut në të cilin ata ndodhen.
Megjithatë, njerëzit me të cilët bisedoi BBC-ja thanë se kanë pasur vështirësi që të sigurojnë qasje në këtë sistem përmes internetit dhe se e kanë pasur të vështirë që ta kuptojnë sistemin me blloqe, pavarësisht nga gabimet.
Sipas analizës së BBC-së, 26 paralajmërime përmbanin të dhëna specifike nga ushtria izraelite që njerëzit do të mund t’i përdornin për të ikur nga zonat me rrezik, por 17 prej tyre gjithashtu përmbanin gabime dhe mospërputhje.
Dymbëdhjetë paralajmërime patën në listën e tekstit të postimit blloqe ose lagje që nuk ishin të theksuara në hartën shoqëruese.
Nëntë paralajmërime patën zona të theksuara në hartë, por ato vende nuk ishin në listën e tekstit shoqërues.
Në shtatë paralajmërime, shigjetat në hartë që do të duhej të çonin në zona të “sigurisë” në të vërtetë të drejtonin në vende që gjithashtu ishin nën evakuim.
Për më tepër, në një paralajmërim kishte në listë lagje që gjoja i takonin një distrikti, por në të vërtetë ato ndodhen në një district tjetër. Në një tjetër paralajmërim u përzien numrat e blloqeve të dy lagjeve./Nacionale