BBC-ja akuzohet nga gazetarët e vet për anshmëri gjatë raportimit për luftën Izrael – Hamas
Televizioni publik britanik, BBC, është akuzuar nga disa gazetarë të tij për dështim që ta paraqesë në mënyrë të saktë konfliktin Izrael – Palestinë, duke bërë përpjekje më të mëdha për humanizimin e viktimave izraelite në krahasim me palestinezët dhe duke e lënë anash kontekstin historik kyç gjatë mbulimit të ngjarjes.
Në një letër me 2 mijë e 300 fjalë dërguar televizionit “Al Jazeera” nga tetë gazetarë me bazë në Britani, të punësuar nga BBC-ja, thuhet se ky televizion është fajtor edhe për “një standard të dyfishtë se si shihen civilët”, duke marra parasysh se është “i palëkundur” gjatë raportimit për krimet e pretenduara të luftës nga Rusia në Ukrainë.
Duke pasur frikë nga hakmarrja, këta gazetarë kërkuan që të mbeteshin anonimë. Grupi thotë se nuk planifikon që letrën t’ua dërgojë udhëheqësve të televizionit, duke besuar se një veprim i tillë ka pak gjasa që të çojë në diskutime kuptimplote.
“BBC-ja ka dështuar që ta tregojë këtë ngjarje me saktësi – përmes lëshimeve dhe mungesës së angazhimit kritik me pretendimet e Izraelit – dhe prandaj ka dështuar që ta ndihmojë publikun për t’u angazhuar dhe për t’i kuptuar abuzimet e të drejtave të njeriut që po shpalosen në Gaza. Mijëra palestinezë janë vrarë nga 7 tetori. Kur do të jetë numri mjaftueshëm i lartë që qëndrimi ynë editorial të ndryshojë”- thuhet në letrën e tetë gazetarëve të BBC-së.
Këta gazetarë thanë se në mbarë platformat e televizionit, termet si “masakër” dhe “mizori” janë rezervuar “vetëm për Hamasin, duke e paraqitur grupin si nxitësin dhe autorin e vetëm të dhunës në rajon”. “Kjo është e pasaktë, por rreshtohet me mbulimin e përgjithshëm të BBC-së”- pretenduan ata.
Sulmi i Hamasit, përderisa është “tmerrues dhe shkatërrues... nuk e justifikon vrasjen pa dallim të mijëra civilëve palestinezë dhe BBC-ja nuk mund të shihet duke e përkrahur – ose të dështojë që ta vërë në pikëpyetje – logjikën që kjo justifikohet”- shtohet në letër.
Më tej, gazetarët i bënë apel televizionit që “të sigurohet që trajtimi i barabartë i të gjithë civilëve të jetë në zemër të mbulimit të tij”.