Bardella thotë se nuk do t'i jepte Ukrainës raketa me rreze të gjatë, nëse bëhet kryeministër
Udhëheqësi francez i së djathtës ekstreme, Jordan Bardella, tha të mërkurën se e mbështet të drejtën e Ukrainës për ta mbrojtur veten kundër Rusisë, por nëse ai zgjidhet kryeministër, nuk do t’i ofrojë Kievit raketa që do t’ia mundësonin sulmet në terror rus.
Ai gjithashtu tha se do t’i vinte në gjendje gatishmërie zotimet e Francës ndaj aleancës ushtarake të NATO-s, nëse bëhet kryeministër, raporton agjencia “Reuters”.
Partia e Bardellës është e para në sondazhe para zgjedhjeve të parakohshme të 30 qershorit dhe 7 korrikut, të cilat kanë ngritur pyetje rreth ndërlikimeve në politikën e jashtme, nëse e djathta ekstreme fiton ulëse të mjaftueshme për ta formuar qeverinë.
“Unë dëshiroj që Ukraina t’i ketë në dispozicion municionin dhe pajisjet që i nevojiten për ta mbajtur frontin, por vija ime e kuqe nuk do të ndryshojë, që është dërgimi i pajisjeve që do të mund të kishin pasoja të eskalimit në Evropën Lindore” – u tha Bardella gazetarëve në panairin e armëve afër Parisit.
“Dhe kështu, unë nuk planifikoj që të dërgoj, veçanërisht, raketa me rreze të gjatë ose armë të tjera që do ta lejojnë Ukrainën për ta sulmuar territorin rus. Pozicioni im nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë – ka të bëjë me përkrahjen për Ukrainën dhe shmangien e të gjitha rreziqeve të eskalimit në rajon dhe mendoj se rreziku i eskalimit është natyrisht real” – shtoi ai.
Edhe nëse partia e Bardellës, Tubimi Kombëtar, do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme, presidenti Emmanuel Macron do ta mbajë postin dhe do të mbetet në krye të ushtrisë.
Megjithatë, kushtetuta franceze i jep edhe kryeministrit një rol në fushën e mbrojtjes dhe ndarja e pushtetit nuk është e prerë qartazi.
Macroni do ta humbte kontrollin në agjendën e brendshme, përfshirë politikat ekonomike, sigurinë, financat dhe migracionin, të cilat pastaj prekin edhe politika të tjera, si ndihmat për Ukrainën, sepse do t’i nevojitej mbështetja e deputetëve për të financuar ndonjë pako si pjesë e buxhetit vjetor të Francës.