Banka Federale e Gjermanisë pret inflacion më të lartë e recesion vitin e ardhshëm - NACIONALE

Banka Federale e Gjermanisë pret inflacion më të lartë e recesion vitin e ardhshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Banka Federale e Gjermanisë tha të premten në përditësimin gjashtëmujor të parashikimit ekonomik se inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës pritet të jetë më i lartë se që është menduar më parë.

Përpos rritjes së inflacionit, Bundesbank-a parashikoi se rritja ekonomike do të jetë më e dobët e recesioni për vitin e ardhshëm tashmë është i qartë, shkruan agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

Parashikimi i ri i ngjan vlerësimit të bërë të enjten nga Banka Qendrore Evropiane, e cila parashikoi se inflacioni në euro-zonë të jetë mbi cakut prej 2 për qind deri më 2025. Ky institucion evropian, gjithashtu, parashikoi recesion të lehtë gjatë muajve të dimrit.

Për Gjermaninë, inflacioni parashikohet të jetë 7,2 për qind më 2023, dukshëm më shumë se parashikimi i bërë në qershor, që ishte 4,5 për qind. Parashikimi i nivelit të inflacionit për vitin 2024 u rrit nga 2,6 për qind, sa ishte thënë në qershor, në 4,1 për qind. Vlerësimi fillestar për nivelin e inflacionit më 2025 është 2,8 për qind.

“Rreziqet ndaj rritjes ekonomike anojnë kryesisht nga teposhta, kryesisht për shkak të mungesave të mundshme të furnizimit me energji. Sa i përket inflacionit, mbizotërojnë rreziqet nga e përpjeta [rritja]”- tha Banka Federale e Gjermanisë.

Parashikimet për rritje, gjithashtu, vërtetojnë se Gjermania ka gjasa që të jetë njëra nga performueset më të dobëta në bllokun e valutës së njëjtë vitin e ardhshëm, pjesërisht për shkak të varësisë së tepërt nga gazi natyror rus.

Më 2023, ekonomia pritet të tkurret për 0,5 për qind. Ky është një dallim i konsiderueshëm në krahasim me vlerësimin e kaluar, sepse në qershor, banka kishte parashikuar që ekonomia vitin e ardhshëm të rritej për 2,4 për qind.

Parashikimi për rritje ekonomike më 2024 u ul nga 1,81,7 për qind, ndërsa banka pret që Gjermania të shënojë rritje ekonomike prej vetëm 1,4 për qind2025.

Përderisa pakësimi i gazit nuk pritet, kriza energjetike do ta rrisë inflacionin, do t’i pakësojë të ardhurat e vërteta në dispozicion dhe do ta pengojë konsumin e amvisërive deri, të paktën, në mesin e vitit 2023, vlerësoi Banka Federale e Gjermanisë.

“Nga gjysma e dytë e vitit 2023 e tutje, ekonomia gjermane do të rimëkëmbet gradualisht, për shkak se kërkesa e jashtme pritet të rritet, pasiguria do të ulet, presionet ndaj çmimeve nga produktet e energjisë do të dobësohen dhe shkalla e inflacionit do të bjerë”- thuhet në vlerësimin e “Bundesbank”-ës.

Lajme të ngjashme