BE-ja bën thirrje të mos hiqet dorë nga Siria - NACIONALE

BE-ja bën thirrje të mos hiqet dorë nga Siria

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kriza humanitare siriane mbetet ndër prioritetet kryesore të BE-së, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, në konferencën e gjashtë premtuese për Sirinë.

“Opinioni publik botëror duket se nuk është në gjendje të përballet me më shumë se një krizë njëkohësisht. Tani është Ukraina në titujt kryesorë, por mos hiqni dorë nga Siria”, u tha Borrell gazetarëve pas takimit, shkruan Euractiv.

Ai gjithashtu pranoi "një lodhje" pas 11 vitesh konflikti, "por ajo mbetet në mendjet tona".

Komisioni Evropian ka premtuar 1.56 miliardë euro për Sirinë për vitin 2022 dhe ka premtuar të njëjtën shumë për vitin e ardhshëm.

BE-ja është hezituese ndaj alokimit së parave për rindërtimin e vendit ndërsa regjimi i Asadit është ende në pushtet, tha Borrell.

“Nëse shkoni dhe shpenzoni para për rindërtimin e Sirisë, kjo do ta mbështesë regjimin sirian. Ne duam të mbështesim popullin sirian,” pohoi kryediplomati i BE-së, duke specifikuar se një rindërtim i mbështetur nga fondet e BE-së do të ndodhë kur “të fillojë një tranzicion i vërtetë dhe gjithëpërfshirës politik në Siri”.

Ndërsa BE-ja aktualisht nuk e konsideron të mundshëm ‘normalizimin’ e marrëdhënieve me Asadin, Borrell nuk e përjashtoi një mundësi të tillë në të ardhmen, nëse presidenti sirian krijon kushtet për një dialog të tillë.

"Ne nuk do të lehtësojmë sanksionet tona për të mbajtur presionin mbi regjimin e Asadit dhe as për të normalizuar marrëdhëniet përpara se njerëzit të jenë të sigurt për t'u kthyer në shtëpitë e tyre", tha ai.

Në konferencën e së martës, Borrell ripohoi mbështetjen e BE-së për rezolutën 2254 të OKB-së për Sirinë, miratuar në vitin 2015, ku komuniteti ndërkombëtar kërkoi armëpushim, negocimin, dhe një zgjidhje politike që respekton sovranitetin e vendit.

Përjashtimi i Rusisë

Pavarësisht se ishte një aktor vendimtar në Siri, Rusia është përjashtuar nga takimi i donatorëve ndërkombëtarë për rajonin.

"Ne po ftojmë ata partnerë që kanë një interes të vërtetë dhe real për të kontribuar për paqen në botë," shpjegoi Borrell.

Me përjashtimin e Rusisë, ai tha se BE-ja "po dërgon një mesazh të qartë të refuzimit të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës".

Për herë të parë, konferenca nuk u organizua nga Kombet e Bashkuara, për shkak të ulëses së përhershme të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Të martën, departamenti kryesor i inteligjencës i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës akuzoi trupat ruse për transportimin e të korrave të vjedhura nga Ukraina në territorin rus, në Krime, duke penguar edhe dërgesat përmes Detit Mesdhe, mallëra që do të shkonin edhe në Siri.

Kriza humanitare

Për momentin, 90% e sirianëve jetojnë në varfëri dhe 60% vuajnë nga pasiguria ushqimore e rënduar nga lufta në Ukrainë për shkak të rritjes së çmimeve dhe komplikimeve në importin e ushqimeve.

Sipas të dhënave të OKB-së, 14.6 milionë sirianë kanë nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa deri në 20 milionë njerëz në rajonin përreth janë në nevojë për shkak të krizës siriane.

Vendet fqinje – Libani, Turqia, Jordania dhe Iraku – i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fondet humanitare, teksa po luftojnë gjithnjë e më shumë për të mbuluar nevojat e refugjatëve.

Ndërkohë, Libani dhe Turqia po bëjnë gjithashtu presion për të rritur kthimet vullnetare në një përpjekje për të lehtësuar barrën mbi ekonominë dhe shoqërinë e tyre.

Javën e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan zbuloi një skemë për kthimin vullnetar të rreth një milion refugjatëve sirianë në vendin e tyre.

Duke iu drejtuar konferencës, ministri libanez i punëve të jashtme Abdallah Bou Habib tha se "situata ekonomike dhe e sigurisë në Siri është shumë më e mirë se në Liban" dhe sugjeroi rritjen e "ndihmës për sirianët në Siri".

Libani ka strehuar rreth 1.5 milion sirianë dhe pothuajse gjysmë milioni palestinezë, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë në Liban.

Lajme të ngjashme