Azerbajxhani u shqipton burgim të përjetshëm ish-liderit të Nagorno-Karabakut e katër të tjerëve - NACIONALE

Azerbajxhani u shqipton burgim të përjetshëm ish-liderit të Nagorno-Karabakut e katër të tjerëve

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë ushtarake azere u shqiptoi të enjten dënime me burgim të gjatë 13 ish-zyrtarëve të Nagorno-Karabakut, ku armenët etnikë drejtonin një shtet që nuk njihej ndërkombëtarisht për tri dekada derisa Bakuja e riktheu kontrollin ushtarak atje më 2023. Armenët e quanin këtë shtet Republika e Artsakut.

Pesë të pandehur, përfshirë ish-liderin e Nagorno-Karabakut, Arayik Harutyunyan, u dënuan me burgim të përjetshëm. Tetë të tjerë u dënuan me burgim prej 15 deri në 20 vjet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ata u dënuan nën akuza të rënda, përfshirë krimet kundër paqes dhe njerëzimit, krimet e luftës, përgatitjen dhe kryerjen e një lufte agresive, gjenocidin, shkeljen e ligjeve dhe zakoneve të luftës, terrorizmin dhe marrjen e dhunshme të pushtetit.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për atë se sa i drejtë mund të ketë qenë gjyqi ndaj këtyre personave, proces që kishte nisur në janarin e vitit të kaluar.

Avokati i Harutyunyan-it, Javid Rzazade, i tha agjencisë “Reuters” se klienti i tij e priste këtë vendim.

“Arayik Harutyunyan ishte i përgatitur për këtë vendim të gjykatës. Ne e dinim se gjykata mund të lëshonte dënim me burgim të përjetshëm. Natyrisht, ne nuk pajtohemi as me aktakuzën, as me vendimin” – tha Rzazade, duke shtuar se ishte shumë herët për të vendosur rreth apelimit të mundshëm të vendimit.

Sistemi gjyqësor në Azerbajxhan ende nuk ka shpallur ndonjë vendim për Ruben Vardanyanin, miliarder që merrej me banka dhe që ka shërbyer si zyrtari numër dy në Nagorno-Karabak. Prokurorët kanë kërkuar që edhe ai të dënohet me burgim të përjetshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme