Azerbajxhani thotë se ka nisur operacione në Nagorno-Karabak
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka thënë se ka filluar operacione “anti-terroriste” në rajonin e Nagorno-Karabakut, që është nën kontrollin armen.
Të martën, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit i akuzoi forcat armene për “bombardime sistematike” ndaj pozicioneve ushtarake dhe tha se është kundërpërgjigjur përmes nisjes së “aktiviteteve lokale, anti-terroriste... për çarmatosje dhe për ta siguruar tërheqjen e formacioneve të forcave të armatosura të Armenisë nga territoret tona”, raporton televizioni BBC.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se pretendimet për shkrepje të zjarrit nga forcat armene nuk përputhen me realitetin.
Tensionet mes dy vendeve kanë qenë të larta muajve të fundit përreth enklavës që kontrollohet nga armenët e që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit.
Njëmbëdhjetë policë e civilë azerë raportohet të jenë vrarë nga një shpërthim mine dhe në një incident tjetër.
Është raportuar për aktivizim të sirenave të alarmit për sulme ajrore në qytetin kryesor të Karabakut.
Azerbajxhani dhe Armeni kanë zhvilluar dy luftëra që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, një herë në vitet e nëntëdhjeta dhe pastaj më 2020.
Nga dhjetori i vitit të kaluar, Azerbajxhani ka zbatuar një masë që de fakto është bllokadë e rrugës së vetme që e lidh enklavën me Armeninë. Kjo rrugë njihet si Korridori i Lachin-it.