Azerbajxhani premton “parajsë” për Karabakun, po e shqyrton aministinë për ish-luftëtarët - NACIONALE

Azerbajxhani premton “parajsë” për Karabakun, po e shqyrton aministinë për ish-luftëtarët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Azerbajxhani po e shqyrton amnistinë për luftëtarët armenë në Nagorno-Karabak që i dorëzojnë armët e tyre, edhe pse disa njësi ushtarake kanë thënë se do ta vazhdojnë rezistencën, tha një këshilltar presidencial në Baku.

Armenët etnikë në Nagorno-Karabak thanë të enjten se kanë nevojë për garanci të sigurisë para se t’i dorëzojnë armët, pasi Azerbajxhani deklaroi se e kishte kthyer nën kontroll rajonin separatist pas një operacioni ushtarak 24-orësh, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti azer, Ilham Aliyev, tha të mërkurën se grushti i tij i hekurt e kishte hedhur në histori idenë e një Karabaku të ndarë dhe se tani banorët e rajonit do të jetojnë në “parajsë” si pjesë e Azerbajxhanit.

Hikmet Hajiyev, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit azer, i tha agjencisë “Reuters” se Bakuja e parasheh amnistinë për luftëtarët e Karabakut që i dorëzojnë armët.

“Edhe sa u përket ish-ushtrive dhe ish-luftëtarëve, nëse ato mund të klasifikohen në mënyrë të tillë, dhe madje edhe për ta do të parashikojmë amnisti ose do të aludojmë në amnisti”- tha këshilltari presidencial azer.

Sipas tij, të drejtat e armenëve të Karabakut do të respektohen si pjesë e integrimit të tyre në Azerbajxhan dhe se ata kishin kërkuar përkrahje humanitare e furnizim me naftë. Hajiyevi shtoi se këto ndihma do të dërgohen në rajon të premten.

“Tash për tash po shohim se disa grupe ushtarake individuale dhe oficerë që kanë bërë deklarata publike se nuk do t’i plotësojnë kushtet tona dhe se do ta vazhdojnë rezistencën. Ne gjithashtu shohim se disa grupe të vogla do të shkojnë në mal, por nuk e shohim këtë si sfidën më të madhe dhe si sfidë të madhe të sigurisë. Natyrisht, kjo do të shkaktojë sfida dhe vështirësi të caktuara, por jo në shkallë aq të lartë”- tha zyrtari azer.

Shumë prej 120 mijë armenëve të Karabakut thonë se janë braktisur nga Rusia, nga Perëndimi dhe nga vetë Armenia dhe vazhdimisht kanë thënë se kanë frikë nga përndjekja në duart e Azerbajxhanit, i cili e gëzon përkrahjen e Turqisë.

Lajme të ngjashme