“Axios”: Trumpi i shqetësuar me pamjet e fëmijëve të Gazës, kërkoi t’i çohen fjalë Netanyahut - NACIONALE

“Axios”: Trumpi i shqetësuar me pamjet e fëmijëve të Gazës, kërkoi t’i çohen fjalë Netanyahut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i frustruar me luftën e vazhdueshme në Gaza dhe i shqetësuar me pamjet e vuajtjeve të fëmijëve palestinezë, si dhe u ka thënë ndihmësve të tij që t’i tregojnë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se amerikani dëshiron që izraeliti ta përmbyllë konfliktin, i kanë thënë mediumit amerikan “Axios” dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti është i frustruar me atë që po ndodh në Gaza. Ai dëshiron që lufta të përfundojë, ai do që pengjet të vijnë në shtëpi, ai do që të futet dhe do që ta fillojë rindërtimin e Gazës” – tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Sidoqoftë, një zyrtar izraelit i tha mediumit “Axios” se Netanyahu për momentin nuk ndien presion të fortë nga Trumpi. “Nëse presidenti (Trump) dëshrion një marrëveshje për pengjet dhe armëpushimin në Gaza, ai duhet t’u vendosë shumë më shumë presion të dyja palëve” – tha zyrtari izraelit.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha faqes “Axios” se kreu i Shtëpisë së Bardhë është i shqetësuar me pamjet e fëmijëve dhe foshnjave që po vuajnë në Gaza dhe i ka shtyrë izraelitët që ta rihapin kufirin për futjen e ndihmave humanitare.

Përderisa Trumpi beson se vizita e tij në Lindjen e Mesme ishte e suksesshme, ai mendon se lufta në Gaza po i frenon planet e tij për rajonin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti sheh një mundësi të vërtetë për paqe dhe mirëqenie në rajon, por lufta në Gaza është pika e nxehtë e fundit dhe ai dëshiron që ajo të marrë fund” – tha më tej zyrtari amerikan.

Zyrtari tjetër e përshkroi luftën në Gaza si shpërqendrim nga gjërat e tjera që Trumpi dëshiron t’i bëjë. “Ka shumë frustrim nga kjo që kriza po zvarritet” – tha ai.

Zyrtari tha se vendimi i Trumpit për të lëvizur në mënyrë të njëanshme për ta siguruar lirimin e pengut amerikano-izraelit, Edan Alexander, e të mos priste që Izraeli të pajtohej për një marrëveshje më të gjerë, ishte rezultat i këtij zemërimi.

Të dielën, kabineti izraelit e miratoi rifillimin e dërgesave me ndihma humanitare në Gaza dhe të hënën disa kamionë me ushqim foshnjash e produkte të tjera hynë në enklavë. Shtëpia e Bardhë tha se duhet të bëhet më shumë.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mijëra fëmijë janë në rrezik që të vdesin urie, nëse ndihmat nuk shtohen në masë domethënëse./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme