“Axios”: ShBA-ja do të dërgojë dhjetëra raketa “Patriot” nga Izraeli në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara transferuan rreth 90 raketa të tipit “Patriot” për mbrojtje ajrore nga Izraeli në Poloni këtë javë për t’i dërguar më pas në Ukrainë, raportoi të martën uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, duke cituar tri burime me njohuri rreth operacionit.
“Ne i kemi parë raportimet, por nuk kemi asgjë për të ofruar në këtë kohë” – tha një zëdhënës i Pentagonit si reagim ndaj raportit, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi për uebfaqen “Axios” se një sistem “Patriot” ishte rikthyer në ShBA, duke shtuar se “nuk është e ditur për ne nëse ai është dërguar në Ukrainë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se ai kishte biseduar me Netanyahun.
Sipas një shkrimi të tij në rrjete sociale, dy udhëheqësit diskutuan për Lindjen e Mesme, lidhjet dypalëshe dhe për presidentin amerikan, Donald Trump, i cili erdhi në pushtet javën e kaluar.
Në shkrimin e tij nuk u përmendën raketat “Patriot”.