Autoritetet: Mbi 2.000 njerëz të mbuluar për së gjalli me dhe në Papua Guinenë e Re
Më shumë se dy mijë persona janë varrosur për së gjalli nga rrëshqitja masive e dheut në Papua Guinenë e Re javën e kaluar, tha të hënën qendra kombëtare e fatkeqësive, përderisa terreni i vështirë dhe pengesat për dërgimin e ndihmave në vendin e ngjarjes e shtojnë rrezikun ndaj të mbijetuarve të mundshëm.
Numri i atyre që janë mbuluar për së gjalli me dhe përreth fshatit Yambali të provincës Enga, në veri të shtetit, është i mbështetur në vlerësimet e autoriteteve lokale. Shifra është rritur vazhdimisht nga e premtja, kur rrëshqiti dheu.
Një agjenci e Kombeve të Bashkuara vlerësoi të dielën se numri i të vdekurve ishte mbi 670, raporton agjencia “Reuters”.
Qendra Kombëtare e Fatkeqësive e rriti shifrën përsëri në dy mijë përmes një letre dërguar OKB-së të dielën dhe që u publikua të hënën. Rrëshqitja e dheut shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale ndaj ndërtesave dhe kopshteve të ushqimit, thuhet në letër.
“Gjendja mbetet e paqëndrueshme, përderisa rrëshqitja vazhdon që të zhvendoset ngadalë, duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm për ekipet e shpëtimit dhe për të mbijetuarit njësoj” – thuhet në këtë letër.
Rreth katër mijë njerëz ishin duke jetuar në zonën e prekur, tha të hënën drejtoresha e organizatës “CARE International PNG” për këtë shtet.
Sidoqoftë, është vështirë që të sigurohet vlerësim i saktë i popullsisë lokale, sepse regjistrimi i fundit i besueshëm i popullsisë ishte bërë në vitin 2000 dhe shumë njerëz jetojnë në fshatra të largëta malore.
Deri më tani janë gjetur gjashtë trupa. OKB-ja tha se numri i të vdekurve mund të ndryshojë, pasi përpjekjet për shpëtim pritet që të vazhdojnë disa ditë.