“Associated Press” kritikon deklaratat e Bidenit: Kur të folurit nga zemra e tij s’flet për ShBA-në
Agjencia e njohur amerikane e lajmeve, “Associated Press”, e ka kritikuar mënyrën se si Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është deklaruar për çështje të rëndësishme si lufta në Ukrainë, sidomos kur ai thirret në mendimin personal duke qenë në krye të shtetit më të fuqishëm në botë.
“Ushtritë mund të lëvizin me fjalët tua, tregjet mund të dridhen, diplomacia mund të shthuret. Kjo nuk e ka ndalur Presidentin Joe Biden që me emocione të përfshihet në luftën në Ukrainë – duke e etiketuar Vladimir Putinin e Rusisë si kriminel lufte, duke u dukur se po e mbron rrëzimin e qeverisë në Moskë, duke i cilësuar gjenocid veprimet ruse të luftës – pastaj duke thënë se ky është opinion krejt personal, jo presidencial”, shkruajnë gazetarët e “Associated Press”, Calvin Woodward dhe Zeke Miller.
“Kjo po mbjell huti në kohëra të rrezikshme”, thuhet më tej në shkrimin e agjencisë së njohur.
“Amerika nuk është soditëse e thjeshtë në këtë konflikt. ShBA-ja është furnizuesja kryesore e Ukrainës me armë nga Perëndimi, burim kyç i inteligjencës ushtarake për Kievin dhe forcë shtytëse prapa sanksioneve globale kundër Rusisë. Ka gjenerata me përvojë për atë se si të flitet me dhe për rivalen e saj historike bërthamore”, raporton agjencia e pavarur e lajmeve.
“Por për tema të rëndësishme të superfuqive, Bideni këto ditë “po flet nga zemra e tij”, kanë thënë vazhdimisht ndihmësit e tij. Jo ndryshe nga paraardhësi i tij, ai nganjëherë po reagon ndaj asaj që po e sheh në televizor. Po argumentohet se ai nuk duhet të merret gjithmonë në mënyrë të fjalëpërfjalshme”, shkruajnë gazetarët Woodward dhe Miller.
“Shpallja e gjenocidit është gjykimi më i ashpër historik kundër një shteti, gjykim që mund t’i detyrojë nënshkruesit e një traktati të Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjnë. Shqetësimi për këtë detyrim e dekurajuan ShBA-në nga njohja si gjenocid e vrasjes së 800.000 pjesëtarëve të grupit etnik Tutsi nga grupi etnik Hutu në Ruandë në vitin 1994. U nevojit më shumë se një shekull që një president amerikan, Bideni vitin e kaluar, për ta njohur gjenocidin armen”, shkruan më tej “Associated Press”.
Muajin e kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, Bideni për Putinin tha: “Unë mendoj se ai është kriminel lufte”, si përgjigje për një pyetje gazetarësh ndërsa po largohej nga një ceremoni nënshkrimi për një çështje tjetër. Ai e tha të njëjtën gjë përsëri, kur i vizitoi ushtarët amerikanë në Poloni.”
Shtëpia e Bardhë u ngut që të thoshte se kjo nuk e sinjalizon në mënyrë të domosdoshme politikën e ShBA-së.
“Ai po fliste nga zemra e tij dhe po fliste nga ajo që e ka parë në televizor, që janë veprimet barbare nga një diktator barbar, përmes pushtimit të tij të një shteti të huaj”, tha sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Pasi u takua më fëmijët ukrainas të ndarë nga familjet e tyre në luftë, Bideni e dërgoi stafin në përpjekje për ta sqaruar përkrahjen e tij të qartë për ndryshimin e regjimit në Moskë, kur për Putinin tha: “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të mbetet në pushtet.”
Përsëri, jo politikë e ShBA-së.
“Unë po e shprehja zemërimin moral që e ndieva për këtë njeri. Nuk isha duke shprehur një ndryshim të politikës”, tha Bideni disa ditë më vonë.
Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë thonë se deklaratat e Bidenit e pasqyrojnë faktin se ai kurrë nuk ka qenë njeriu që e mban gjuhën gjatë pesë dekadave të tij në Uashington, as kur kjo gjë e fut në telashe.
Ata i shohin deklaratat e tij, të ndara nga politikat e qeverisë së tij, si reagime jo vetëm ndaj skenave tmerruese në Ukrainë, por edhe ndaj presionit politik brenda vendit për të thënë dhe për të bërë më shumë në kundërpërgjigjen ndaj pushtimit rus.
“Kur je president i Shteteve të Bashkuara, nuk mundesh thjesht të qëllosh dhe të mendosh për atë më vonë në aspektin se çfarë ke thënë, sepse njerëzit, në të vërtetë, mund të fillojnë të qëllojnë duke u bazuar në atë që ti thua”, thotë David Axelrod, ish-këshilltar i ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Përktheu: Gazeta Nacionale (Artikulli origjinal është përkthyer në mënyrë të përmbledhur. Për ta lexuar artikullin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu.)