Arrin në 201 miliardë dollarë pasuria e njeriut më të pasur në botë, Bernard Arnault
Pasuria e njeriut më të pasur në botë, Bernard Arnault, ka arritur në 201 miliardë dollarë për herë të parë, pasi aksionet në kompaninë e tij për produkte luksoze, LVMH, shënuan nivel rekord.
Miliarderi 74-vjeçar francez është bërë vetëm personi i tretë në botë në histori që ka grumbulluar pasuri që vlerësohet me mbi 200 miliardë dollarë. Miliarderët amerikanë, Elon Musk dhe Jeff Bezos, e kishin arritur këtë nivel më parë, para se pasuria e tyre të tkurrej, raporton gazeta “The Guardian”.
Pasuria e Arnault-it u rrit për 2,4 miliardë dollarë të martën dhe shkoi në 201 miliardë dollarë, sipas indeksit të “Bloomberg”-ut për milionerë. Pasuria e tij është rritur për 39 miliardë dollarë deri më tani vetëm këtë vit, pasi vlera e aksioneve të LVMH-së është rritur për 30 për qind falë rritjes së kërkesës për prodhime luksoze nga të pasurit e botës.
Arnault-i është shef i korporatës LVMH, e cila i ka në pronësi kompanitë e njohura, “Louis Vuitton”, “Christina Dior” dhe “Moët & Chandon”. Vlerat e aksioneve të saj janë rritur për më shumë se 150 për qind në tri vitet e fundit, duke arritur në nivel rekord të mërkurën.
LVMH-ja vitin e kaluar shënoi shitje rekord prej 79,2 miliardë eurosh. Arnault-i, i cili është bashkëthemelues i korporatës, rishtazi i emëroi fëmijët e tij në pozita kyçe brenda biznesit.
