Arrestohet një deputet i Francës, dyshohet se e drogoi kolegen për ta dhunuar - NACIONALE

Arrestohet një deputet i Francës, dyshohet se e drogoi kolegen për ta dhunuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Senatori 66-vjeçar francez, Joël Guerriau, është arrestuar dhe është marrë në pyetje nga policia nën dyshimin për drogim të një deputeteje me qëllim të dhunimit ose sulmit seksual ndaj saj.

Guerriau, politikan i qendrës së djathtë, “Les Independants”, u arrestua këtë javë në shtëpinë e tij në Paris, e cila u bastis bashkë me zyrën e tij, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyra e prokurorit francez i tha agjencisë AFP se senatori po merrej në pyetje për “dhënie një personi, kundër dijenisë së tij, një substancë që mund ta ndryshojë mprehtësinë e tyre ose kontrollimin e veprimeve të tyre me qëllim të kryerjes së dhunimit ose sulmit seksual”. Incidenti i dyshuar ndodhi të martën në mbrëmje.

Agjencia AFP raportoi se gruaja që e paraqiti ankesën në polici është anëtare e dhomës së ulët të Kuvendit, Asambleja Kombëtare, por emri i saj nuk është publikuar dhe zyra e prokurorit nuk ka dhënë ndonjë informatë për të.

Dyshohet se gruaja ishte sëmurë, pasi kishte pirë nga një gotë në shtëpinë e senatorit. Ajo nuk është në lidhje me senatorin. Prokurorët thanë se testet mjekësore e zbuluan praninë e ekstazisë në trupin e deputetes. Ky lloj i drogës u gjet edhe gjatë kërkimit nëpër shtëpinë e senatorit, shton agjencia AFP.

Guerriau ishte zgjedhur senator në vitin 2011 dhe është nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Forca të Armatosura.

Avokati i tij, Remi-Pierre Drai, tha: “Jemi shumë larg interpretimit jo të denjë që mund të nxirret nga artikujt e parë të mediave.”

Drai shprehu zemërim për rrjedhjen e elementeve të hetimit në mediat franceze dhe tha se nuk do të japë të dhëna për rastin për shkak të respektit për klientin e tij dhe për gruan që e ka paraqitur ankesën.

Lajme të ngjashme