Arrestohet në Poloni zhytësi ukrainas i kërkuar nga Gjermania për shpërthimet në “Nord Stream” - NACIONALE

Arrestohet në Poloni zhytësi ukrainas i kërkuar nga Gjermania për shpërthimet në “Nord Stream”

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Volodymyr Z., zhytës ukrainas që kërkohej nga Gjermania për përfshirjen e tij të dyshuar në shpërthimet e gazsjellësit “Nord Stream”, është arrestuar në Poloni, tha të martën avokati i tij.

Të përshkruara nga Moska e Perëndimi si akt sabotimi, shpërthimet e vitit 2022 i kishin dëmtuar rëndë dërgesat e gazit rus drejt Evropës, duke shënuar një përshkallëzim të madh në konfliktin e Ukrainës dhe duke i pakësuar dërgesat e energjisë në kontinent. Askush nuk e marrë përgjegjësinë për këto shpërthime dhe Ukraina ka mohuar se ka ndonjë rol, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Këtë mëngjes, ai u arrestua në një qytezë afër Varshavës” – tha avokati i zhytësit, Tymoteusz Paprocki.

Mediumi privat RMF FM raportoi i pari për arrestimin e këtij personi, duke thënë se Volodymyr Z. u ndalua në Pruszkow, në perëndim të kryeqytetit polak.

Avokati i të arrestuarit tha se ekipi mbrojtës i Volodymyr Z. do të luftojë kundër transferimit të tij në Gjermani, duke argumentuar se ekzekutimi i urdhërarrestit evropian ndaj tij është i palejueshëm duke e marrë parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Sulmi ndaj infrastrukturës së “Nord Stream”-it ka të bëjë me njërin nga pronarët e gazsjellësit, Gazprom, i cili drejtpërdrejt i financon operacionet ushtarake në Ukrainë” – tha avokati. “Gazprom” është kompani gjigante shtetërore ruse.

Ministria e Drejtësisë e Gjermanisë dhe Zyra e Prokurorit Federal nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment. As prokurorët polakë nuk patën koment të menjëhershëm.

Muajin e kaluar, policia italiane arrestoi një ukrainas të dyshuar për bashkërendimin e sulmeve. I dyshuari i identifikuar si Serhii K. Planifikon që ta çojë luftën e tij kundër ekstradimit në gjykatën më të lartë të Italisë, pasi një gjykatë më e ulët mori vendim për ekstradimin e tij në Gjermani./Nacionale

Lajme të ngjashme