Arrestohet greku që mbylli imigrantë në rimorkio, i akuzonte për zjarrvënie - NACIONALE

Arrestohet greku që mbylli imigrantë në rimorkio, i akuzonte për zjarrvënie

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia greke tha se ka ndaluar një burrë që kishte mbajtur imigrantë në një rimorkio dhe që u kishte bërë thirrje qytetarëve që “të dilnin e t’i rrethonin” imigrantët që ai i akuzon për zjarrvënie në Greqi.

Ky person u ndalua pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën një veturë shihet duke tërhequr një rimorkio përgjatë një rruge të papastër në veri të Greqisë, ndërsa ai mund të dëgjohet duke kërkuar nga një person tjetër që t’i hapë dyert. Dy burra imigrantë mund të shihen të dyndur brenda rimorkios, raporton agjencia “Reuters”.

“Organizohuni, le të dalim të gjithë dhe t’i rrethojmë (imigrantët). Ata do të na djegin”- dëgjohet duke thënë personi. Policia tha se ai është shtetas i huaj.

Në një deklaratë të publikuar të martën vonë, policia tha se burri kishte ndalur ilegalisht 13 imigrantë sirianë dhe pakistanezë. Janë arrestuar edhe dy grekë, të cilët dyshohet se e kishin ndihmuar atë.

Pritet që tre të arrestuarit të paraqiten para një prokurori të mërkurën. Pas kësaj paraqitjeje pritet të vendoset nëse ndaj tyre do të ngrihen akuza.

Një zyrtar policor, duke folur në kushte anonimiteti, tha se edhe 13 imigrantët janë ndaluar për hyrje të paligjshme në territorin e Greqisë.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, ANA, tha se një prokuror i Gjykatës Supreme ka dhënë urdhër që të fillojë një hetim për videon.

Lajme të ngjashme