Arrestohet babai i 14-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e katër personave në shkollën e ShBA-së
Babai i një 14-vjeçari të akuzuar për vrasjen e katër personave në shkollën e mesme ku e vijonte mësimin, në Georgia të ShBA-së, është arrestuar.
Colin Gray, 54 vjeç, ballafaqohet me katër akuza për vrasje të pavullnetshme, dy akuza për vrasje të shkallës së dytë dhe tetë akuza për mizori ndaj fëmijëve, tha Byroja e Hetimeve në Georgia, raporton televizioni BBC.
Autoritetet e kanë ngarkuar të birin e tij, Colt Gray, me katër akuza për vrasje dhe thonë se planifikojnë që ta ndjekin penalisht si person të rritur. Paraqitja e tij e parë në gjykatë është caktuar për të premten në mëngjes.
Të shtënat të mërkurën në Shkollën e Mesme “Apalachee” në qytetin Winder, afër Atlantas, lanë dy mësues e dy nxënës të vdekur, ndërsa nëntë persona të tjerë pësuan lëndime.
Drejtori i Byrosë së Hetimeve në Georgia, Chris Hosey, tha në një konferencë për gazetarë të enjten se “këto akuza janë drejtpërdrejt të lidhura me veprimet e birit të tij dhe me lejimin e tij për të poseduar një armë”.
Autoritetet po hetojnë nëse Gray e kishte blerë armën e sitlit AR si dhuratë për të birin e tij në dhjetor të vitit 2023, i thanë televizionit CBS burimet brenda organeve për sundimin e ligjit.
Në maj të vitit 2023, FBI-ja e kishte paralajmëruar policinë lokale për kërcënimet në internet rreth një sulmi me armë në shkollë, të ndërlidhura me një adresë elektronike që lidhej me të dyshuarin për sulmin e kësaj jave.
Një zyrtar policor kishte shkuar për ta intervistuar djalin, që atëherë ishte 13 vjeç.
Zyrtarët thonë se kërcënimet ishin bërë në rrjetin social “Discord”, i njohur për ata që luajnë video-lojëra, dhe përbënin fotografi me armë.
Emri i profilit të llogarisë ishte në gjuhën ruse dhe i përkthyer në mbiemrin e sulmuesit që vrau 26 persona në Shkollën Fillore “Sandy Hook” në Connecticut më 2012./Nacionale