Arrestohen tre burra në Bavari të Gjermanisë, dyshohen për tradhti të lartë ndaj vendit
Autoritetet gjermane kanë arrestuar tre burra në Bavari në lidhje me grupin e së djathtës ekstreme, Reichsbuerger.
Autoritetet dyshojnë se të arrestuarit janë anëtarë të një organizate terroriste dhe po planifikonin tradhti të lartë, thanë të enjten prokurorët në Munih, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky grup, në mesin e udhëheqësve të të cilit përfshihet i vetëshpalluri Princi Reuss, akuzohet për komplot për rrëzimin e dhunshëm të rendit shtetëror dhe zëvendësimit të tij me sistemin e vet.
Anëtarët e grupit dyshohet se kanë marrë pjesë në trajnime për armë zjarri për një sulm të mundshëm ndaj Kuvendit të Gjermanisë në prillin e vitit 2022, thanë prokurorët gjermanë.
Autoritetet kryen bastisje në tetë lokacione në shtetet Bavari, Saksoni dhe Thuringi të enjten herët në mëngjes.
Divizioni i Sigurisë Shtetërore i Policisë Shtetërore Kriminale të Bavarisë, nën drejtimin teknik të Zyrës së Prokurorit Publik në Munih, i ka marrë përsipër hetimet kundër gjashtë individëve nga ky grup.
“Sipas të dhënave që janë në dispozicion, këto ushtrime me të shtëna shërbyen për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm ndaj Bundestagut” – thanë autoritetet./Nacionale