Armëpushimi njëjavor në Liban do të fillojë sonte, sipas një medium pro Hezbollahut
Mediumi pro Hezbollahut, “Al-Mayadeen”, duke cituar një zyrtar iranian, ka raportuar se një armëpushim njëjavor do të hyjë në fuqi sonte në Liban.
Kjo masë vjen pas presionit nga Irani, sipas zyrtarit. Armëpushimi do të përkojë me javën e fundit të armëpushimit të përkohshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, transmeton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, mediumi izraelit, “Channel 12”, duke u mbështetur në burime të veta, raportoi se Izraeli ende nuk ka marrë vendim për këtë çështje. Një zyrtar i lartë izraelit pretendoi se ideja për shpalljen e një armëpushimi njëjavor në Liban është paraqitur nga emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff.
Televizioni “Channel 12” raportoi se kabineti qeveritar izraelit do të mblidhet të mërkurën mbrëma për të diskutuar rreth çështjes, por theksoi se disa ministria “po e shtyjnë përpara saktësisht të kundërtën – rinisjen e sulmeve në Bejrut dhe matanë [lumit] Litani”.
Ndërkohë, komandanti i ushtrisë izraelite tha se ka dhënë urdhër që zonat në jug të Lumit Litani në Liban të shndërrohen në “zonë vrasjesh” kundër Hezbollahut.
“Unë kam dhënë urdhër që e tërë zona e jugut të Libanit deri te Lumi Litani të shndërrohet në zonë vrasjesh të terroristëve të Hezbollahut” – tha Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir gjatë një vizite tek ushtarët që po operojnë në atë zonë.