Armëpushimi në Gaza mund të arrihet, por mund të marrë më shumë kohë, thonë zyrtarët izraelitë - NACIONALE

Armëpushimi në Gaza mund të arrihet, por mund të marrë më shumë kohë, thonë zyrtarët izraelitë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dallimet në bisedimet për armëpushim në Gaza që po zhvillohen në Katar mes Izraelit dhe Hamasit mund të tejkalohen, por mund të nevojitet më shumë kohë se disa ditë për të arritur një marrëveshje, thanë të martën disa zyrtarë izraelitë.

Përpjekja e re nga ndërmjetësit amerikanë, kataras dhe egjiptianë për ndaljen e luftimeve në enklavën e shkatërruar kanë marrë hov nga e diela, kur palët ndërluftuese filluan bisedime të tërthorta në Doha dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u nis për në Uashington, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Netanyahu u takua të hënën me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili tha pak pra takimit të tyre se një marrëveshje për armëpushim dhe për lirim të pengjeve mund të arrihet këtë javë. Kryeministri izraelit të martën pritet të takohet edhe me nënpresidentin e ShBA-së, JD Vance.

Emisari i Trumpit, Steve Witkoff, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në hartimin e propozimit për armëpushim, do të udhëtojë në Katr këtë javë për t’u bërë pjesë e diskutimeve atje, tha të hënën sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Në propozimin për armëpushim parashihen lirimi i pengjeve në faza, tërheqje të trupave izraelite nga disa pjesë të Gazës dhe diskutime për t’i dhënë fund luftës tërësisht.

Burimet palestineze thanë të hënën se kishte dallime mes palëve sa i përket futjes së ndihmave humanitare në Gaza.

Disa zyrtarë të lartë izraelitë që folën me gazetarë në Uashington thanë se mund të nevojiten më shumë se disa ditë për t’i finalizuar marrëveshjet në Doha, por nuk dhanë hollësi për pikat që po i lënë palët në ngërç. Një zyrtar tjetër izraelit tha se është shënuar progres.

Ministri izraelit, Zeev Elkin, i cili është pjesë e kabinetit të sigurisë të Netanyahut, tha se ekziston një “mundësi substanciale” për t’u arritur armëpushimi. “Hamasi dëshiron që të ndryshojë disa çështje qendrore, nuk është e thjeshtë, por ka progres” – i tha ai të martën televizionit publik izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme