Armenia e Azerbajxhani pajtohen për kushtet e marrëveshjes së paqes pas konfliktit dekadësh - NACIONALE

Armenia e Azerbajxhani pajtohen për kushtet e marrëveshjes së paqes pas konfliktit dekadësh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë të Armenisë dhe të Azerbajxhanit thanë të enjten se janë pajtuar për tekstin e një marrëveshjeje të paqes me të cilën do t’u jepet fund gati katër dekadave konflikt mes dy shteteve të Kaukazit Jugor, sukses i papritur në një proces paqeje që shpesh ka hasur në pengesa.

Dy shtetet që dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik kanë zhvilluar disa luftëra mes vete nga pjesa e fundit e viteve të tetëdhjeta, kur Nagorno-Karabaku, rajon në Azerbajxhan me popullsi të përbërë kryesisht nga armenë etnikë në atë kohë, ishte ndarë nga Azerbajxhani me mbështetjen e Armenisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministria e Jashtme e Armenisë tha në një deklaratë të enjten se një draft i marrëveshjes së paqes me Azerbajxhanin është finalizuar nga ana e saj.

“Marrëveshja e paqes është gati për t’u nënshkruar. Republika e Armenisë është e gatshme që t’i fillojë konsultimet me Republikën e Azerbajxhanit për datën dhe vendin e nënshkrimit të marrëveshjes” – tha kjo ministri.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha: “Ne njoftojmë me kënaqësi se bisedimet për tekstin e draftit të Marrëveshjes për Paqe dhe për Vendosjen e Marrëdhënieve Ndërshtetërore mes Azerbajxhanit dhe Armenisë janë përmbyllur.”

Megjithatë, afati i nënshkrimit të marrëveshjes është i paqartë, pasi Azerbajxhani ka thënë se si parakusht për nënshkrimin e tij është një ndryshim në kushtetutën e Armenisë, për të cilin thotë se bën pretendime të nënkuptuara ndaj territorit azer.

Armenia mohon një pretendim të tillë, por kryeministri Nikol Pashinyan ka thënë në mënyrë të përsëritur muajve të fundit se kushtetuta e vendit duhet të zëvendësohet dhe ka bërë thirrje për një referendum që kjo të bëhet. Ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, e citoi kryeministrin armen t’u ketë thënë gazetarëve të enjten se marrëveshja do ta parandalojë dislokimin e personelit të vendeve të treta përgjatë kufirit mes Armenisë e Azerbajxhanit.

Kjo dispozitë me gjasë do të mbulonte një mision civil vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilin Azerbajxhani e ka kritikuar, si dhe rojat kufitare ruse, të cilat patrullojnë një pjesë të kufijve të Armenisë.

Bisedimet e paqes mes dy vendeve filluan pasi Azerbajxhani e rimori nën kontroll Karabakun në shtatorin e vitit 2023, duke i nxitur pothuajse të gjithë 100 mijë armenët që të largoheshin për në Armeni. Shumica tani jetojnë në Armeni si refugjatë.

Kufiri 1000-kilometërsh mes Armenisë e Azerbajxhanit është i mbyllur dhe i militarizuar rëndë./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme