AP: Ukraina është test i madh për BE-në, Ballkani Perëndimor është lodhur duke pritur - NACIONALE

AP: Ukraina është test i madh për BE-në, Ballkani Perëndimor është lodhur duke pritur

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian mund të përparojë të premten me një rekomandim të organit ekzekutiv të BE-së se shteti i goditur nga lufta meriton që të jetë kandidat për t’u bërë pjesë e bllokut me 27 shtete.

Associated Press

Miratimi i Komisionit Evropian, ndonëse ende hap përpjekjeje në një rrugë që mund të marrë dekada për t’u përfunduar, do të ishte simbol i fuqishëm i solidaritetit me Ukrainën dhe do ta testonte më tej frontin e bashkuar të BE-së kundër Rusisë në kohë lufte.

Gjetja e baraspeshës së duhur

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE më pak se një javë pas fillimit të pushtimit rus dhe, si kryeqytet, Kievi u përball me rrezikun e kapjes dhe me rrëzimin e qeverisë ukrainase.

Urgjenca e krijuar nga lufta dhe kërkesa e Ukrainës për shqyrtim të përshpejtuar mund ta trazojë qasjen e ngadalshme të bllokut për zgjerim.

Të enjten, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë e vizituan Ukrainën dhe u zotuan se do ta përkrahin synimin e këtij shteti për t’u bërë kandidat për anëtarësim në BE. Kryeministri italian, Mario Draghi, e quajti hap shumë të thellë kandidaturën e Ukrainës për BE dhe vuri në pah se Ukraina do t’i kapërcente vendet e Ballkanit, nëse i dhurohet statusi. Sidoqoftë, Draghi tha se situata në Ukrainë është e jashtëzakonshme.

Dhënia e statusit të kandidates Ukrainës do ta sfidonte strategjinë normale të BE-së për shtimin e shteteve. Udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet që ta shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit Evropian javën e ardhshme.

Udhëheqësit ballafaqohen me një veprim të ndjeshëm të baraspeshimit: t’i jepet sinjal Ukrainës se dera e BE-së është e hapur përderisa t’i sigurojnë shtetet e tjera dhe disa qytetarë të vetë bllokut se ata nuk po e favorizojnë Kievin.

Të zgjerohet a të mos zgjerohet?

Bashkimi Evropian është krijuar në vitet e pesëdhjeta për të parandaluar një luftë tjetër mes Gjermanisë dhe Francës. Gjashtë shtetet themeluese ishin Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Luksemburgu.

Që nga ajo kohë, BE-ja është zgjeruar vazhdimisht duke e përkrahur idenë se integrimi ekonomik dhe politik mes vendeve është mënyra më e mirë për t’i promovuar paqen dhe mirëqenien e përgjithshme. Kjo qasje e hapi rrugën për krijimin e valutës euro më 1999 dhe për shtimin e dhjetë shteteve të tjera më 2004, shumica nga Evropa Lindore, dikur hapësirë komuniste.

Euroja, të cilën fillimisht e bënë valutë zyrtare 11 shtete, e vuri në pah kapacitetin e BE-së për ta thelluar integrimin ekonomik dhe politik mes vendeve të bllokut. Zgjerimi “big bang” pesë vjet më vonë e shfaqi aftësinë e BE-së për ta zgjeruar shtrirjen e vet.

Përderisa konflikti më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore po zhvillohet në kufirin lindor të bllokut, BE-ja po mbërthehet përsëri me pyetje të vjetra për aftësinë e saj për t’u thelluar e zgjeruar, kritere joformale që ekspertët i përdorin për ta përcjellë evolucionin e bllokut.

Pse ka mungesë konsensusi?

Konsensusi i brendshëm, që mbështet një qasje të tillë me dy pista ndaj përparimit të BE-së, ishte dobësuar disa vjet para se Rusia ta sulmonte Ukrainën.

Kriza e borxhit e euro-zonës, që shpërtheu më 2010, vala e imigrimit masiv më 2015 dhe vendimi tmerrues i Britanisë së Madhe më 2016 përmes referendumit për t’u larguar nga BE-ja kontribuuan në ngurrimin e BE-së për t’u zgjeruar.

Të njëjtin ndikim e pati edhe rritja e forcave politike euro-skeptike në shumë shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Disa vende të Bashkimit Evropian i kanë akuzuar qeveritë në Berlin, Paris dhe Romë se kanë shfaqur përkrahje të pamjaftueshme politike për Ukrainën në kohën kur ky vend po mundohet të mbrohet nga Rusia.

Vizita e së enjtes në Kiev nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Kalus Iohannis, mund të ndihmojë që të zmbrapsen këto kritika.

Statusi i kandidates

Takimi i udhëheqësve me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe shprehja e përkrahjes për Ukrainën ndodhi në të njëjtën kohë me bisedimet në prapaskenë të Komisionit Evropian për opinionin rreth meritës së Ukrainës për statusin e kandidates.

Një grup i shteteve të BE-së, përfshirë Poloninë, duan përkrahje maksimale për Ukrainën, ndërsa disa të tjera, si Holanda, favorizojnë qëndrim më të matur.

Komisioni planifikon që t’i publikojë rekomandimet e veta edhe për Gjeorgjinë dhe Moldavinë, të cilat me ngut aplikuan për anëtarësim në mars.

Shkalla në të cilën kërkesa e Ukrainës për pranim të shpejtë paraqet ndryshim të procedurës standarde të operimit të BE-së është e dukshme nga përvojat e shteteve të tjera, që gjithashtu e synojnë anëtarësimin.

Turqia, për shembull, aplikoi për anëtarësim në vitin 1987, e mori statusin e kandidates më 1999 dhe priti deri më 2005 për t’i filluar bisedimet për anëtarësim. Vetëm njëri nga më shumë se 30 kapitujt e bisedimeve është përfunduar nga ajo kohë dhe i tërë procesi ka ngecur si rezultat i mosmarrëveshjeve të ndryshme mes BE-së dhe Turqisë.

Ballkani Perëndimor, i lodhur duke pritur

Gjashtë shtete në Ballkanin Perëndimor gjithashtu janë ballafaquar me pritje të gjatë në rrugën e tyre për anëtarësim në BE. Maqedonia Veriore, për shembull, aplikoi për anëtarësim më 2004 dhe e mori statusin e kandidates një vit më pas.

Por edhe pas ndryshimit të emrit për të zgjidhur një mosmarrëveshje të vjetër me Greqinë, ky shtet është ende duke e pritur fillimin e bisedimeve për anëtarësim, sepse Bullgaria vendosi pengesë në momentin e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën dhe etninë.

Fillimi i bisedimeve për anëtarësim duhet të miratohet nga të gjitha shtetet e BE-së – 27.

Një tjetër shtet ballkanik, Serbia, synon që të anëtarësohet në BE. Ky vend aplikoi për anëtarësim më 2009, u bë kandidate më 2012 dhe i filloi bisedimet për anëtarësim më 2014. Deri më tani, Serbia ka përfunduar vetëm dy nga 35 kapitujt e bisedimeve.

Në këtë kontekst, Ukraina, në thelb, po kërkon nga BE-ja që ta braktisë strategjinë e saj të zgjerimit, “më mirë të sigurt se të penduar”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme