Anulimi i vizitës së Lavrov në Serbi: Shefi i agjencisë ruse të hapësirës kërcënon ta zhdukë gjysmën e Evropës
Pas anulimit të vizitës së ministrit të Jashtëm rus për në Serbi, kërcënime të reja kanë ardhur nga Rusia.
Shefi i agjencisë ruse të hapësirës, Dmitry Rogozin ka bërë një paralajmërim rrëqethës duke thënë se Bullgaria, Rumania dhe Mali i zi nuk do të ishin në gjendje ta ndalonin një raketë RS-Sarmat 208 tonëshe.
Raketa me një lartësi të një ndërtesë 14-katëshe është e aftë të godasë objektivat me pothuajse 16,000 mph, mund të mbajë 15 koka luftarake dhe ka potencialin për të zhdukur një zonë me madhësinë e Mbretërisë së Bashkuar me një shpërthim të vetëm.
Rogozin, kreu i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos është mburrur më parë se si Rusia mund të vendosë pothuajse 50 nga bërthamat e saj "të pandalshme" në Satan-2.
Por tani, në përgjigje të ndalimit të fluturimit të Lavrov, Rogozin, një ish-zëvendëskryeministër dhe njeri besnik i Putinit u shpreh me fjalët: “A e dini se çfarë është kaq e mirë te Sarmat?
"Nuk kërkon leje fluturimi nga frikacakët bullgarë, rumunët hakmarrës dhe malazezët - të cilët tradhtuan historinë tonë të përbashkët."
Ai paralajmëroi se e njëjta gjë do të vlejë edhe për Suedinë, e cila ka vendosur të bashkohet me NATO-n.
Por mesazhi rrëqethës i Rogozin për Evropën shkaktoi një breshëri komentesh tallëse në internet.
Kujtojmë se, Serbia ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë dhe deri më tani ka shmangur presionin për të marrë një qëndrim në lidhje me pushtimin e Ukrainës, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Por, në përpjekjen e fundit për të ngjallur frikë në Evropë, Rogozin tregoi një vrimë të thellë që ishte bërë duke përdorur raketën Satan-2.
Ai tha se: "Me një ngarkesë bërthamore, një krater i tillë në një vend armik do të jetë, shumë i madh dhe shumë i thellë - dhe radioaktiv."
Ai shtoi se së shpejti Rusia do të ketë gati rreth 50 raketa Sarmat, të njohura në Perëndim si Satan-2.