Anketë: 61 për qind e amerikanëve mendojnë se inteligjenca artificiale e rrezikon të ardhmen e njerëzimit - NACIONALE

Anketë: 61 për qind e amerikanëve mendojnë se inteligjenca artificiale e rrezikon të ardhmen e njerëzimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rritja e shpejtë e teknologjisë së inteligjencës artificiale do të mund ta vendoste në rrezik të ardhmen e njerëzimit, sipas shumicës së amerikanëve të anketuar në një sondazh të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it të publikuar të mërkurën.

Më shumë se dy të tretat e amerikanëve janë të shqetësuar për efektet negative të inteligjencës artificiale dhe 61 për qind e tyre besojnë se kjo teknologji do të mund ta rrezikonte civilizimin, raporton agjencia “Reuters”.

Që nga koha kur programi “ChatGPT” u bë programi me rritjen më të shpejtë të të gjitha kohërave, integrimi i gjerë i inteligjencës artificiale në jetën e përditshme e ka vënë këtë çështje në krye të diskursit publik.

Programi “ChatGPT” ka nxitur një garë në fushën e inteligjencës artificiale, pasi gjigantët si “Microsoft” dhe “Google” po garojnë për t’i tejkaluar sukseset e njëri-tjetrit.

Edhe ligjvënësit dhe kompanitë e inteligjencës artificiale janë të shqetësuar. Shefi ekzekutiv i kompanisë “OpenAI”, Sam Altman, të martën dëshmoi para Kongresit të ShBA-së, duke theksuar shqetësime për keqpërdorimin e mundshëm të teknologjisë së re dhe duke kërkuar që kjo fushë të rregullohet.

“Nuk ka mënyrë për ta vendosur këtë xhind në shishe. Globalisht, kjo po shpërthen”- tha senatori Cory Booker, njëri prej shumë ligjvënësve që patën pyetje për atë se si të rregullohet më së miri inteligjenca artificiale gjatë një paneli të Senatit të martën për përdorimin e kësaj teknologjie.

Sipas anketës së re, numri i amerikanëve që parashikojnë rezultate të pafavorshme nga inteligjenca artificiale është trefish më i madh se numri i atyre që nuk presin diçka të tillë.

Në bazë të të dhënave të anketës, 61 për qind e pjesëmarrësve besojnë se inteligjenca artificiale paraqet rreziqe ndaj njerëzimit, ndërsa 22 për qind nuk u pajtuan me këtë. 17 për qind nuk ishin të sigurt.

Ata që votuan për ish-presidentin Donald Trump më 2020 shfaqën nivel më të lartë të shqetësimit. 70 për qind e votuesve të Trumpit në krahasim me 60 për qind të votuesve të Joe Bidenit thanë se inteligjenca artificiale do të mund ta rrezikonte njerëzimin.

Lajme të ngjashme