Andrew Tate akuzohet për dhunim dhe trafikim të njerëzve - NACIONALE

Andrew Tate akuzohet për dhunim dhe trafikim të njerëzve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Figura kundërthënëse e internetit, Andrew Tate, është akuzuar për dhunim, trafikim të njerëzve dhe themelim të një grupi për krim të organizuar për shfrytëzim seksual të grave.

Akuza janë ngritur edhe kundër vëllait të tij, i cili quhet Tristian, si dhe ndaj dy bashkëpunëtorëve. Të gjithë i kanë mohuar akuzat, raporton televizioni BBC.

Vëllezërit Tate u arrestuan në shtëpinë e tyre në Bukuresht të Rumanisë në dhjetorin e vitit të kaluar.

Në mars, atyre iu largua masa e ndalimit dhe iu shqiptua një masë më e lehtë – arrest shtëpiak.

Në aktakuzën e paraqitur në gjykatën e Bukureshtit thuhet se katër të pandehurit formuan një grup të krimit të organizuar më 2021 për të kryer trafikim të njerëzve në Rumani, por edhe në shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Aty përmenden emrat e shtatë viktimave të pretenduara, për të cilat thuhet se ishin rekrutuar nga vëllezërit Tate përmes premtimeve të rreme për dashuri dhe martesë.

Andrew Tate është akuzuar për dhunim seksual ndaj njërës prej viktimave të pretenduara, ndërsa vëllai i tij është akuzuar për nxitje të të tjerëve në dhunë.

Gjykimi nuk do të fillojë menjëherë dhe pritet të zgjasë disa vjet.

Një gjykatës rumun tani ka 60 ditë afat për ta hulumtuar rastin para se ai të dërgohet për gjykim.

Lajme të ngjashme