Analizë: Pasardhësi i Johnsonit do të ketë në duar një rrëmujë të madhe - NACIONALE

Analizë: Pasardhësi i Johnsonit do të ketë në duar një rrëmujë të madhe

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i ardhshëm ose kryeministrja e ardhshme e Mbretërisë së Bashkuar do të trashëgojë një rrëmujë për të cilën disa anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet besojnë se do të jetë e pamundshme që të menaxhohet.

Luke McGee, CNN

Kur kanë mbetur vetëm edhe gjashtë javë deri në ditën kur pasardhësi i Boris Johnson-it do të hyjë përmes derës së famshme në adresën numër 10 në rrugën “Downing Street”, dy kandidatët e mbetur në garë po e bëjnë edhe më të keqe një situatë të keqe duke i fërkuar me acid plagët e një partie aq keq të përçarë, saqë ajo mund të detyrohet që të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të shpresojë për më të mirën.

Për qëllimet e këtij artikulli, televizioni CNN ka biseduar me shumë burime në Partinë Konservatore në kushte anonimiteti.

Janë disa arsye për këtë, duke nisur nga mënyra se si do të zgjidhet kryeministri ose kryeministrja e re.

Zëvendësi i Johnson-it nuk do të zgjidhet nga 47 milionë personat e rritur, të regjistruar për votim, por nga një grup shumë më i vogël prej rreth 160.000 anëtarësh në Partinë Konservatore. Fituesi do të shpallet më 5 shtator.

Kjo është goxha gjë e duhur në aspektin kushtetues. Në Britani, kryeministrat nuk zgjidhen drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, anëtarët e parlamentit zgjidhen dhe udhëheqësi i partisë me numrin më të madh të deputetëve e formon qeverinë. Konservatorët ende gëzojnë një shumicë të shëndoshë nga fitorja zgjedhore e Johnson-it më 2019, prandaj pasardhësi ose pasardhësja e tij thjesht e trashëgon atë shumicë dhe e merr postin e udhëheqësit të qeverisë.

Megjithatë, kjo krijon një dinamikë të çuditshme në të cilën dy kandidatët e mbetur – Liz Truss dhe Rishi Sunak - duhet t'i kalojnë javët e ardhshme duke udhëtuar nëpër vend dhe duke i kërkuar prioritetet e një elektorati që përfaqëson më pak se 0.5 për qind të publikut votues.

Kjo nënkupton garë për çështje fushate për të cilat kandidatët besojnë se kanë më së shumti gjasë që ta tërheqin këtë grup shumë të vogël njerëzish.

Pa befasi, duke e marrë parasysh krizën e kostos së jetesës, çështja kryesore e debatit është menaxhimi i ekonomisë. Truss po bën thirrje për një qasje tjetër nga rritja e taksave nga Johnson-i dhe pretendon se ulja e taksave do të krijonte menjëherë rritje. Sunak beson se kjo është ekonomi e fantazisë, duke marrë parasysh se Britania ende është duke u rimëkëmbur nga shoku ekonomik i pandemisë së koronavirusit.

E tërë kjo mund të tingëllojë si diçka e butë derisa të merret parasysh fakti se Sunak ka qenë ministër i Financave. Tash është shfaqur narrativa në mesin e përkrahësve të Truss-it se ndonëse ajo ishte në kabinetin e Johnson-it si sekretare e Jashtme, ajo ishte personi që i ka kundërshtuar më së shumti ato që po paraqiten si rritje taksash nga Sunak më shumë sesa nga shefi i tij, Johnson.

Gjithçka bëhet edhe më rrëmujë, kur merren parasysh javët e fundit të politikës britanike dhe se sa personale është bërë beteja mes Truss-it dhe Sunak-ut.

Shumë aleatë të Johnson-it pretendojnë se dorëheqja e Sunak-ut për një skandal të sulmit seksual, ku ishte i përfshirë nënkryetari i grupit parlamentar të Johnson-it, ishte lëvizje e llogaritur për ta rrëzuar Johnson-in në mënyrë që Sunak-u të kishte mundësi për t’u bërë kryeministër.

“Rishi ishte i qartë në letrën e tij për arsyet pse ka dhënë dorëheqje. Mjaft është mjaft”, i tha televizionit CNN një zëdhënës i fushatës së Sunak-ut.

Aleatët kryesorë të Johnson-it janë grumbulluar për ta përkrahur zonjën Truss si kandidate kundër Sunak-ut dhe po flasin në mënyrë agresive kundër tij, duke e përkrahur narrativën se ai është përgjegjës për dështimet ekonomike të kabinetit qeveritar.

Në majë të luftës brutale që po zhvillohet mes dy kandidatëve shfaqet figura vigane e kryeministrit në largim. Shumë deputetë vazhdojnë të besojnë se Johnson-i ende ishte kandidati më i mirë i Partisë Konservatore për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme dhe se trajtimi i tij nga njerëzit si Sunak-u është i pafalshëm.

Detyra e rishpikjes dhe e ribashkimit të partisë, që ka pasur vështirësi në anketa disa muaj, do të ishte e vështirë për këdo. Do të jetë edhe më e vështirë për secilin nga dy kandidatët, të cilët i kanë duart e ndyra nga puna në qeverinë e kaluar dhe përkrahësit e të cilëve po e gjuajnë njëri-tjetrin me baltë gjatë një vere të gjatë e të nxehtë.

Nëse grupet garuese nuk mund t’i tejkalojnë këto dallime, mund të zbulojnë se i kanë rrënuar gjasat e tyre për të qëndruar në pushtet dhe t’ia japin çelësat një partie opozitare që ka mbetur jashtë qeverisë nga viti 2010. Në pyetje është diçka shumë e madhe, por shumë pak persona në Partinë Konservatore po sillen sikur e kuptojnë që kështu është puna.

Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme