Amerikania bëhet gruaja më e shpejtë që i sillet botës me biçikletë
Një çikliste amerikane e ka thyer rekordin botëror për çiklizmin më të shpejtë përreth botës.
Lael Wilcox-it iu nevojitën 108 ditë, 12 orë e 12 minuta për të çikluar 29.169 kilometra, duke u nisur e duke përfunduar në Chicago, raporton televizioni BBC.
Ajo e theu rekordin e mëparshëm të skocezes Jenny Graham, e cila më 2018 e kishte arritur të njëjtën gjë për 124 ditë e 11 orë.
38-vjeçarja nga Alaska e nisi rrugëtimin më 28 maj, duke kaluar nëpër 21 shtete e katër kontinente para se të arrinte përsëri në Chicago rreth orës 21:00 sipas zonës kohore lokale të mërkurën.
Ajo çikloi deri në 14 orë në ditë gjatë rrugëtimit që tani do të vërtetohet nga Libri i Rekordeve “Guinness”.
Ekspertët vlerësojnë se çiklistët me qëndrueshmëri të lartë mund të djegin nga 6.000 deri në 10.000 kalori në ditë gjatë çiklimit.
Wilcox-i ka qenë çiklistja e parë që e ka fituar garën “TransAm”, e gjatë mbi 6.400 kilometra që kalon nëpër mbarë gjatësinë e ShBA-së.
Sipas rregullave të Librit të Rekordeve “Guinness”, udhëtimi i plotë i çiklistit/es, përfshirë fluturimet, lundrimin me tragete e transitin publik, duhet të jetë i barabartë me largësinë totale prej 40 mijë kilometrash, sa ekuatori i Tokës. Largësia minimale që duhet të kalohet duke çikluar është 28 mijë e 970 kilometra.
Pasi u nis nga Chicago, amerikania shkoi në Nju-Jork, ku i hipi aeroplanit dhe arriti në Portugali. Më pas, asaj iu deshën disa javë për të mbërritur në Amsterdam të Holandës, pastaj në Gjermani, nëpër Alpe, në Ballkan dhe pastaj nëpër Turqi e Gjeorgii.
Më pas, ajo shkoi me Aeroplan në Australi dhe çikloi nga qyteti Perth përgjatë bregdetit jugor deri në Brisbane, ku i hipi aeroplanit për të arritur në Zelandë të Re, ku çikloi nëpër të dy ishujt kryesorë të shtetit të largët.
Në fund, çiklistja arriti me aeroplan në Anchorage, çikloi deri në Los Angeles e më pas, prapë me biçikletë, arriti në Chicago, ku e kishte nisur udhëtimin sfidues./Nacionale/Nasuf Abdyli