Amerikani akuzohet se fitoi 1,8 milion dollarë, pasi i dëgjoi telefonatat e gruas që punonte nga shtëpia - NACIONALE

Amerikani akuzohet se fitoi 1,8 milion dollarë, pasi i dëgjoi telefonatat e gruas që punonte nga shtëpia

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rregullatorët amerikanë kanë akuzuar një burrë se ka fituar 1,8 milion dollarë përmes shfrytëzimit të të dhënave konfidenciale që i kishte dëgjuar, kur bashkëshortja e tij ishte duke zhvilluar një telefonatë pune dhe po punonte nga shtëpia. Ky rast mund të nxisë argumente kundër punës nga shtëpia.

Komisioni i Sigurimeve dhe Këmbimit (SEC) tha se e ka akuzuar burrin e quajtur Tyler Loudon për tregti të brendshme, pasi ai “i shfrytëzoi kushtet e punës nga shtëpia” dhe përfitoi nga të dhënat private në lidhje me planet e kompanisë së naftës, BP, për të blerë një qendër udhëtimesh me bazë në Ohio dhe një biznes vitin e kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Më tej, ky komision pretendon se Loudoni, i cili jeton në Houston të Teksasit, kishte dëgjuar disa biseda të tjera gjatë punës së gruas së tij nga shtëpia, e cila punonte si menaxhere në BP dhe ishte duke punuar për një marrëveshje të planifikuar në një zyrë në shtëpi vetëm gjashtë metra larg.

Rregullatori tha se Loudoni bëri një varg blerjesh, duke blerë mbi 46 mijë aksione“TravelCentres”, pa dijeninë e bashkëshortes, disa javë para se të njoftohej marrëveshja, më 16 shkurt 2023. Vlera e aksioneve të “TravelCentres of America” ishte rritur për gati 71 për qind pas publikimit të marrëveshjes. Loudoni pastaj i shiti të gjitha aksionet, duke siguruar fitim prej 1,8 milion dollarësh.

Në fund, Loudoni i tregoi bashkëshortes se çfarë kishte bërë dhe pretendoi se i kishte blerë aksionet, sepse donte që të bënte para të mjaftueshme që gruaja të mos detyrohej që të punonte më me orar të gjatë.

Megjithatë, ajo u tregoi shefave të saj në BP për blerjet e burrit të vet. Pavarësisht nga raportimi, shefat e shkarkuan këtë grua, edhe pse nuk kishin dëshmi se ajo me vetëdije ia kishte dhënë informatat e blerjes burrit të saj.

Në fund, ajo doli nga shtëpia e çiftit dhe paraqiti kërkesë për divorc.

Ky rast pritet që të nxisë argumente – sidomos në kompani amerikane – që punëtorët t’i kthehen punës në zyrë, duke hequr dorë nga trendi që ishte nxitur nga izolimi në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Lajme të ngjashme