Amerikanët, skeptikë për sulmet e Ukrainës në Krime: S’po bëjnë asgjë vendimtare
Ukraina i ka shtuar sulmet me raketa në Krimenë e pushtuar nga rusët javëve të fundit në përpjekje për t’i penguar logjistikën e furnizimin e armikut, por kjo strategji po shihet me skepticizëm nga disa zyrtarë amerikanë në Uashington.
Për disa zyrtarë ushtarakë dhe të adminsitratës së presidentit Biden, sulmet ukrainase në Krime janë, në rastin më të mirë, shpërqendrim, ndërsa, në rastin më të keq, humbje e çmueshme e burimeve në një strategji për të cilën shumë analistë tani besojnë se e ka lënë Ukrainën të shtrirë shumë hollë mes disa segmenteve të sulmit, raporton televizioni CNN.
“I ka nxjerrë nga balanca rusët pak, por nuk është duke bërë asgjë vendimtare dhe ndoshta do të ishte më mirë për të gjithë që ata vetëm të përqendrohen në kundërsulm”- i tha televizionit CNN një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.
Ukraina javëve të fundit ka përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar dy ura që e lidhin Krimenë me territorin e pushtuar nga rusët në jug të Ukrainës, dhe të shtunën e vuri në shënjestër urën e vetme që e lidh Krimenë me Rusinë.
Në përgjithësi, sulmet ukrainase në jug i kanë ngadalësuar dhe komplikuar manovrat e Rusisë për rifurnizim dhe logjistikë, tha një zyrtar i inteligjencës perëndimore. Një zyrtar tjetër amerikan tha se nëse ukrainasit arrijnë që ta prishin rrjetin e gjerë të linjave ruse të mbrojtjes dhe të lëvizin përpara, atëherë vënia në shënjestër e depove të municionit dhe linjave të rifurnizimit në Krime do të jenë të dobishme për kundërsulmin.
Megjithatë, për shkak se vëmendja te Krimea është relativisht e re, disa zyrtarë amerikanë e perëndimorë thanë se ende është vështirë që të gjykohet se sa shumë ndikim janë duke pasur këto sulme ndaj aftësisë së Rusisë për t’i bërë ballë kundërsulmit ukrainas.
Ukraina ka kryer “disa sulme goxha të mira ndaj logjistikës, komandës dhe kontrollit” në Krime, tha një zyrtar ushtarak amerikan, por shtoi: “Nuk mendoj se ato efekte janë shfaqur plotësisht.”
Sidoqoftë, deri më tani, disa zyrtarë amerikanë dhe analistë të jashtëm thonë se sulmet nuk duket të kenë pasur shumë ndikim. Gjatë dhjetë javëve të luftimeve, Ukraina ka dështuar që të depërtojnë në linjat ruse të mbrojtjes, diçka për të cilën disa kritikë besojnë se po ndodh për shkak se Ukraina ka dështuar që të bëjë prioritet ndonjë përpjekje dhe, në vend të kësaj, i ka shpërndarë burimet e veta shumë hollë në disa fronte.
Tash për tash, Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e këshilluar Ukrainën kundër sulmeve në Krime, sipas zyrtarit të lartë të mbrojtjes. Megjithatë, sa më shumë që zgjat kundërsulmi pa ndonjë fitore domethënëse, analistët thonë se aq më të mëdha janë gjasat për dështim.
