Ambasadori rus në Britani flet për vrasjet e civilëve në Ukrainë: Pamje nga filmat ose lojërat kompjuterike
Ambasadori i Rusisë në Britani ka thënë se nuk beson që vendi i tij do të përdorë armë taktike bërthamore në luftën kundër Ukrainës.
Në një intervistë për BBC-në, Andrei Kelin është shprehur se sipas rregullave ushtarake ruse, në konflikte të tilla siç është në Ukrainë nuk përdoren armë të tilla.
Duke folur për pretendimet për krime lufte në qytetin e Bucha-s, Kelin i quajti ato “trillime”, duke shtuar se sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss ishte "shumë luftarake dhe e papërvojë.”
Ndërkohë, për përdorimin e armëve bërthamore, Kelin tha se Rusia ka rregulla shumë strikte për përdorimin e tyre, dhe ato kryesisht mund të përdëoren në rast se kërcënohet ekzistenca e shtetit.
"Nuk ka të bëjë fare me operacionin aktual," u shpreh Kelin.
Kujtojmë se kur Vladimir Putin vendosi forcat e tij bërthamore në gatishmëri të lartë në fund të shkurtit, menjëherë pas pushtimit, një veprim i tillë u perceptua gjerësisht si një paralajmërim.
Putini fajësoi Perëndimin dhe NATO-n për zhvillimin e agresionit, por sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace e quajti akuzën një përpjekje për të shpërqendruar njerëzit nga "ajo që po shkonte keq në Ukrainë".
Armët bërthamore taktike janë ato që mund të përdoren në distanca relativisht të shkurtra, në krahasim me armët bërthamore "strategjike" të cilat mund të lëshohen në distanca shumë më të gjata dhe të ngrenë spektrin e luftës bërthamore gjithëpërfshirëse.
Megjithatë, termi përfshin shumë lloje të armëve, të tilla si bomba më të vogla dhe raketa të përdorura në një fushë beteje. Mendohet se Rusia mendohet të ketë rreth 2000 armë bërthamore taktike.
Ambasadori rus u pyet nga BBC edhe rreth komenteve të fundit të bëra nga ministrja e Jashtme britanike Liz Truss, e vila tha se lufta mund të marrë fund vetëm atëherë kur Vladimir Putin të largojë plotësisht trupat e tij nga Ukraina. E Kelin tha se Truss ishte “shumë luftarake”, duke shtuar se ajo nuk “është një ushtarake profesioniste" dhe as “nuk ka përvojë si sekretare e jashtme.”
"Nëse ajo dëshiron të vazhdojë lufta, ajo do ta zgjasë atë," shtoi ai.
Ambasadori po ashtu foli për pretendimet për krimet e luftës në qytetin e Bucha-s, dhe mohoi se forcat ruse kanë bombarduar civilët, ai tha se këto ngjarje ishin vetëm një “fabrikim”.
Rreth masakrës në Bucha edhe Rusia më parë kishte deklaruar njëlloj si ambasadori,ku ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov pretendoi se pamjet e trupave në Bucha ishin "inskenuar" pasi rusët u tërhoqën.
Megjithatë, këto akuza u kundërshtuan nga rrëfimet e shumta të dëshmitarëve okularë.
Akuzat e Rusisë për inskenim, u kundërshtuan po ashtu edhe nga imazhet satelitore që treguan trupat e shtrirë në rrugë gati dy javë përpara se rusët të largoheshin nga qyteti.
Ndërkohë, kur ambasadori u pyet për pamjet nga një video që shfaqte ushtarët rusë duke vrarë civilë të paarmatosur në Ukrainë, ai tha se pamjet ishin “ndoshta pjesë e një filmi, loje, shakaje apo nga ndonjë lojë kompjuterike”.