Ambasadori i ShBA-së në Izrael i propozon Francës të ndajë një pjesë të rivierës për shtetin palestinez - NACIONALE

Ambasadori i ShBA-së në Izrael i propozon Francës të ndajë një pjesë të rivierës për shtetin palestinez

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, e ka kundërshtuar njohjen e mundshme nga Franca të një shteti palestinez, duke e cilësuar “të padurueshme” këtë lëvizje, përderisa Izraeli po lufton kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

“Është tepër jo e duhur në mes të një lufte me të cilën po merret Izraeli, të dilet dhe të prezantohet diçka për të cilën mendoj se izraelitët gjithnjë e më shumë janë kundër në mënyrë të vendosur” – tha ai në televizionin “Fox News”.

Komentet e diplomatit amerikan erdhën pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të premten se njohja e një shteti palestinez, me kushte, “nuk është vetëm detyrë morale, por nevojë politike”.

Presidenti francez tha gjithashtu se shtetet evropiane duhet “ta ashpërsojnë pozicionin kolektiv” kundër Izraelit, nëse ky shtet nuk reagon si duhet ndaj situatës humanitare në Gaza, përfshirë mbajtjen hapur të mundësisë për sanksione, raporton gazeta "The Times of Israel".

Franca po e shqyrton njohjen e një shteti palestinez para një konference të Kombeve të Bashkuara, e cila do të organizohet nga Franca dhe Arabia Saudite më 17 deri më 20 qershor.

“7 tetori ndryshoi shumë gjëra” – tha ambasadori amerikan në Izrael, duke iu referuar sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 2023. “Nëse Franca është vërtet aq e vendosur për të parë një shtet palestinez, unë kam një sugjerim për ta – nxirrni një pjesë të rivierës franceze dhe krijoni një shtet palestinez. Ata janë të mirëpritur për ta bërë këtë, por nuk janë të mirëpritur për ta vendosur atë lloj presioni ndaj një vendi sovran” – shtoi Huckabee.

“Dhe mua më duket e padurueshme që ata mendojnë se e kanë të drejtën për të bërë një gjë të tillë” – tha ambasadori amerikan në Izrael, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në konferencën e OKB-së të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

Lajme të ngjashme