Ambasadori australian i fshin komentet kundër Trumpit, Gërvalla stoike me “barcaletën” me ShBA-në - NACIONALE

Ambasadori australian i fshin komentet kundër Trumpit, Gërvalla stoike me “barcaletën” me ShBA-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se kishte folur me Donald Trumpin pas fitores së republikanit në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, përderisa ambasadori australian në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, i fshiu komentet që i kishte bërë më parë për Trumpin, duke thënë se ato nuk e pasqyrojnë pikëpamjen e qeverisë australiane. Sidoqoftë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ende po qëndron “stoike”. Ajo nuk e ka fshirë akoma një shaka pa shije me Shtetet e Bashkuara në llogarinë e saj në “Facebook”.

Albanese tha se ai kishte folur me Trumpin të enjten në mëngjes për lidhjet e sigurisë, përfshirë marrëveshjen AUKUS, me të cilën Australia do të blejë nëndetëse amerikane me energji bërthamore nga Shtetet e Bashkuara dekadën e ardhshme dhe do të zhvillojë një klasë të re të nëndetëseve me energji bërthamore me ShBA-në dhe Britaninë, raporton agjencia “Reuters”.

Një problem i mundshëm është marrëdhënia mes administratës amerikane në ardhje dhe ambasadorit të Australisë në Uashington, ish-kryeministri australian, Kevin Rudd.

Rudd-i kishte bërë më parë komente përçmuese për Trumpin si drejtor i një organizate me bazë në ShBA, sipas një deklarate në uebfaqen e tij personale.

“Nga respekti për zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe pas zgjedhjes së Presidentit Trump, Ambasadori Rudd tani i ka fshirë këto komente të së kaluarës nga uebfaqja e tij personale dhe nga kanalet në rrjete sociale” – thuhet më tej në deklaratë.

Në mesin e komenteve tashmë të fshira, Rudd-i më 2020 e kishte quajtur Trumpin “presidenti më dekonstruktiv në histori”.

Po ashtu në vitin 2020, në një mbrëmje marsi, Donika Gërvalla-Schwarz kishte vendosur që në llogarinë e saj në rrjetin “Facebook” të publikonte një “barcaletë” me konotacion negativ për Shtetet e Bashkuara:

"Një barcaletë, e treguar nga një punonjës i Ambasadës Amerikane: „Pse është Amerika shteti më demokratik në botê? Sepse nuk ka Ambasadë Amerikane!"

Postimi është ende aktiv në llogarinë e saj.

Lajme të ngjashme