Ambasadori amerikan në Izrael propozon që shtetet myslimane të japin territor për shtetin palestinez - NACIONALE

Ambasadori amerikan në Izrael propozon që shtetet myslimane të japin territor për shtetin palestinez

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, ka sugjeruar që “shtetet myslimane” duhet të japin një pjesë të territorit të tyre për themelimin e një shteti palestinez në të ardhmen.

Në një intervistë me televizionin BBC, Huckabee tha se “shtetet myslimane kanë 644 herë më shumë toka sesa ato që kontrollohen nga Izraeli”.

“Prandaj, ndoshta, nëse është një dëshirë e tillë për një shtet palestinez, do të ishte dikush që do të thotshte: ne do të donim që të ishim nikoqir i tij” – tha diplomati amerikan.

Ambasadori gjithashtu i kritikoi fuqishëm aleatët e vendit të tij, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Australinë, për vendosjen e sanksioneve kundër dy ministrave izraelitë të së djathtës ekstreme për “nxitje të përsëritura të dhunës kundër komuniteteve palestineze” në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një intervistë tjetër me mediumin “Bloomberg”, Huckabee tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e ndjekur më qëllimin për një shtet të pavarur palestinez.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, më vonë tha se “ambasadori flet për veten e tij” dhe se është presidenti ai që është përgjegjës për politikën e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Më vonë këtë muaj në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, diplomatë nga Franca dhe Arabia Saudite do të mbajnë një konferencë me qëllim të hartimit të një plani për themelimin e një shteti palestinez.

Edhe pse ambasadori Huckabee nuk tha se ku do të mund të shtrihej një shtet palestinez në të ardhmen ose nëse Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin një nismë të tillë, ai tha se konferenca në OKB është “jo e duhur dhe në kohën e gabuar”.

“Është gjithashtu diçka që është gjykim tërësisht i gabuar që shtetet evropiane të mundohen ta imponojnë në mes të një lufte” – tha ai, duke argumentuar se një gjë e tillë do të rezultonte në një Izrael “më pak të sigurt”.

Kur u pyet nëse pozicioni i ShBA-së është që nuk mund të ketë një shtet palestinez në Bregun Perëndimor, Huckabee tha: “Nuk do të thosha se nuk mund të ketë kurrë, ajo që do të thosha është që një kulturë do të duhej të ndryshonte.”

“Tani për tani, kultura është që është në rregull t’i shënjestrosh hebrenjtë dhe t’i vrasësh ata dhe ju shpërbleheni për këtë. Kjo duhet të ndryshojë” – shtoi ai.

Izraeli e kundërshton zgjidhjen me dy shtete. Ky vend thotë se çfarëdo zgjidhjeje duhet të jetë rezultat i bisedimeve me palestinezët dhe se shtetësia nuk duhet të jetë parakusht./Nacionale

Lajme të ngjashme