Aleanca e Rusisë me Kinën po thellohet, ndërtojnë urë lidhëse mes dy vendeve
Për dekada të tëra, lumi Amur ka ndarë Kinën moderne dhe Rusinë - ujërat e tij ndajnë gati 2,500 milje kufitare mes vendeve, pra mungonte një gjë – një urë automjetesh.
E tani, ndërsa izolimi ekonomik i Rusisë në vazhdën e pushtimit të saj në Ukrainë po e shtyn atë më pranë Pekinit, kjo ka nisur të ndryshojë me të madhe.
Sipas CNN, të premten e kaluar, Pekini dhe Moska përshëndetën nisjen e një lidhjeje tjetër të re - atë që media shtetërore në të dyja anët e quajti ura e parë autostrade mbi Amur, duke njoftuar edhe për një kalim tjetër që pritet të hapet se shpejti, një urë hekurudhore që do të lidhë vendet përtej lumit.
Në autostradën e nisur javën e kaluar, tetë kamionë mallrash nga Kina dhe tetë nga Rusia kaluan mbi të, secili duke mbajtur dy flamuj kombëtarë të mëdhenj në të dyja anët e kabinës së tyre, ndërsa udhëtonin pranë nga njëri-tjetri në një koreografi të kapur nga dronë ajror.
Sipas Moskës, transportuesit kinezë të mallrave mbanin pajisje elektronike dhe goma, ndërsa ata rusë vaj soje dhe lëndë druri të sharruar. E nëse dikush mund të kishte dyshime në lidhje me simbolizimin, një zëvendëskryeministër rus i hoqi ato.
"Ura Blagoveshchensk-Heihe ka një rëndësi të veçantë simbolike në botën e sotme të shpërbërë. Ajo do të bëhet një lidhje tjetër miqësie që lidh popullin e Rusisë dhe Kinës," tha Yuri Trutnev, i dërguari i Kremlinit në Lindjen e Largët Ruse.
Kjo pikë u nënvizua edhe më tej në një telefonatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping ditën e mërkurën, ku të dy diskutuan hapjen e lidhjes së tyre të re ndërkufitare dhe lidhjet e tyre ekonomike "në progres të vazhdueshëm".
Ura e re do të "krijojë një kanal të ri që lidh dy vendet," tha Xi gjatë telefonatës, e cila u zhvillua në ditëlindjen e tij të 69-të, ai shtoi se “pala kineze është e gatshme të punojë me palën ruse për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të bashkëpunimit praktik dypalësh”.
Projekti prej 369 milionë dollarësh lidh qytete në provincën Heilongjiang të Kinës me kryeqytetin e rajonit Amur Blagoveshchensk në Lindjen e Largët Ruse. Ndërsa, Moska pret që kur ura të jetë plotësisht funksionale, të qarkullojë rreth 4 milionë tonë mallra dhe dy milionë pasagjerë çdo vit.