Alarmante: Inteligjenca ushtarake thotë se Ukrainës gati i është harxhuar municioni
Zëvendësdrejtori i inteligjencës ushtarake ukrainase, Vadym Skibitsky, ka thënë se Ukraina është duke humbur artileri kundër Rusisë në vijat e frontit dhe se tashmë varet pothuajse tërësisht nga armët e Perëndimit për ta ndalur Rusinë.
“Tash, kjo është luftë artilerie”, tha zyrtari i inteligjencës ushtarake. Ai shtoi se e ardhja do të vendoset në vijat e frontit dhe se forcat ukrainase po humbin në aspektin e artilerisë, raporton “The Guardian”.
“Gjithçka tash varet në atë që na japin (vendet perëndimore). Ukraina ka një pjesë artilerie në krahasim me 10 deri në 15 pjesë të artilerisë ruse. Partnerët tanë perëndimorë na kanë dhënë rreth 10 për qind të asaj që kanë”, shtoi Skibitsky.
Sipas tij, Ukraina është duke përdorur 5.000 deri 6.000 predha artilerie në ditë. “Ne e kemi përdorur pothuajse tërë municionin tonë (të artilerisë) dhe tash po përdorim predha standarde të NATO-s, të kalibrit 155”, tha zyrtari ukrainas.
“Evropa gjithashtu po jep predha me kalibër të vogël, por përderisa Evropës i harxhohen, sasia po bëhet më e vogël”, shtoi ai.
Ushtarët ukrainas, që folën për gazetën “The Guardian” në kushte anonimiteti javën e kaluar nga vijat e frontit, thanë fjalë të ngjashme për situatën në terren.
Skibitsky e theksoi nevojën që Perëndimi ta furnizojë Ukrainën me sisteme raketore me rreze të gjatë për ta shkatërruar artilerinë ruse nga largësia. Këtë javë, këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych, tha se vendi i tij ka nevojë për 60 raketahedhës të shumëfishtë - shumë më shumë se numri që i është premtuar deri më tani nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – për të pasur gjasa që ta mposhtë Rusinë.
Pritet që Ukraina të kërkojë disa lloje armësh dhe pajisjesh mbrojtëse në takimin e grupit të kontaktit me NATO-n në Bruksel më 15 qershor.
Në muajt e parë të luftës, Rusia e sulmonte Ukrainën vazhdimisht me raketa, por kjo gjë është pakësuar në dy muajt e fundit. Sipas shifrave të fundit të ushtrisë ukrainase, Rusia hedh 10 deri 14 raketa në ditë.
Prodhimi i raketave ka kosto të lartë. Një raketë mund të kushtojë nga disa qindra mijëra euro deri në disa milionë.
“Kemi vërejtur se Rusia po kryen shumë më pak sulme me raketa dhe ka përdorur raketa “H-22”, ato janë raketa të vjetra sovjetike të viteve të shtatëdhjeta. Kjo tregon se Rusisë po i mbeten pak raketa”, tha Skibitsky./Nacionale