Aktakuzë ndaj deputetit gjerman të AfD-së, dyshohet se e përdori përshëndetjen naziste
Prokurorët në Berlin kanë ngritur aktakuzë kundër deputetit Matthias Moosdoft, anëtar i partisë së të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), nën dyshimin se kishte përshëndetur një anëtar tjetër të partisë me përshëndetjen e ndaluar naziste gjatë një seance parlamentare, thanë prokurorët në një deklaratë të hënën.
Bundestagu votoi në tetor për t’ia hequr imunitetin këtij deputeti, duke ia hapur rrrugën ngritjes së akuzave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas prokurorëve, deputeti 60-vjeçar bëri një goditje me thembër dhe përshëndetje naziste afër njërës prej hyrjeve të ndërtesës historike Reichstag gjatë një seance parlamentare në qershorin e vitit 2023, duke u siguruar që përshëndetja “do të ishte e perceptueshme nga të tjerët”.
Në Gjermani, përdorimi i sloganeve dhe simboleve të lidhura me grupet antikushtetuese, përfshirë nazistët, ka qenë i paligjshëm që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në një deklaratë, Moosdorf e mohoi akuzën se kishte bërë përshëndetje të Hitlerit, kur po e kontrollonte pallton e bashkëshortes në gardërobën e ndërtesës.
“Është e turpshme që dikush po mundohet të fabrikojë një spektakël politik në këtë nivel, në vend se të angazhohet në mënyrë konstruktive me përmbajtjne e partisë sonë dhe pozicioneve politike të saj” – tha ai.
AfD-ja, e cila tashmë po del e para në sondazhe në mbarë Gjermaninë para pesë palë zgjedhjeve rajonale që do të mbahen vitin e ardhshëm, ka ndërtuar lidhje më të ngushta me anëtarët e Partisë Republikane në ShBA që janë të lidhur me lëvizjen MAGA, e promovuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme më herët këtë vit e klasifikoi AfD-në si organizatë ekstremiste djathtiste./Nacionale