Aksident me helikopter në Siri, lëndohen 22 ushtarë amerikanë
Ushtria amerikane tha të martën se 22 pjesëtarë të saj u lënduan në fundjavën e kaluar nga një aksident me helikopter në pjesën verilindore të Sirisë, duke shtuar se shkaktari i aksidentit është duke u hetuar dhe se në këtë rast nuk ishte i përfshirë zjarri nga armiku.
Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se pjesëtarët ishin duke marrë trajtim dhe se dhjetë prej tyre janë vendosur në “objekte për kujdes më të lartë” jashtë rajonit, raporton agjencia “Associated Press”.
“Një fatkeqësi me helikopter në Sirinë verilindore rezultoi në lëndime të shkallëve të ndryshme të 22 anëtarëve të shërbimit të ShBA-së. Nuk është raportuar për zjarr të armikut”- thuhet në deklaratë.
Një zëdhënës i forcave kurde të përkrahura nga ShBA-ja nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë “Asssociated Press” për ta komentuar këtë rast.
Mesatarisht në Siri ndodhen të paktën 900 ushtarë amerikanë, bashkë me një numër të pazbuluar të kontraktorëve. Forcat amerikane për operacione speciale, gjithashtu, hyjnë dhe dalin nga ky shtet, por zakonisht janë në ekipe të vogla dhe nuk përfshihen në numrat zyrtarë.
Forcat amerikane ndodhen në Siri që nga viti 2015 për t’i këshilluar dhe asistuar Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, në luftën kundër ISIS-it. Që nga mposhtja e këtij grupi në marsin e vitit 2019, trupat amerikane janë munduar që të parandalojnë ndonjë rikthim të ISIS-it, i cili kishte marrë nën kontroll territore të mëdha në Irak e Siri më 2014.
Megjithatë, celulat e heshtura të ISIS-it mbeten kërcënim. Rreth 10 mijë ish-luftëtarë të këtij grupi mbahen në qendra të ndalimit në Siri dhe dhjetëra mijëra anëtarë të familjeve të tyre jetojnë në dy kampe refugjatësh në verilindje të vendit.
