Afganistani ka nisur sulme hakmarrëse kundër Pakistanit, thotë zëdhënësi i talibanëve
Afganistani ka nisur operacione sulmuese kundër pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit mes dy vendeve, tha të enjten zëdhënësi i talibanëve, si hakmarrje për sulmet ajrore pakistaneze të kryera rishtazi.
“Si kundërpërgjigje ndaj provokimeve dhe shkeljeve të përsëritura nga qarqet ushtarake pakistaneze, operacione sulmuese të shkallës së lartë janë nisur kundër pozicioneve dhe instalacioneve ushtarake pakistaneze përgjatë vijës së Durandit” – tha në një shkrim në rrjetin X zëdhënësi i administratës së talibanëve në Afganistan, Zabihullah Mujahid, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të hënën, Kombet e Bashkuara thanë se së paku 13 civilë u vranë dhe shtatë të tjerë ishin lënduar nga sulmet ajrore pakistaneze në pjesën lindore të Afganistanit.
Pakistani tha se nisi sulme pasi i fajësoi militantët që operojnë nga territori afgan për sulmet e fundit vetëvrasëse, përfshirë disa që ndodhën në muajin e Ramazanit.
Ministria e Informacionit e Pakistanit tha në një postim në rrjetin X se me operionin “e mbështetur në inteligjencë” u goditën shtatë kampe të talibanëve pakistanezë dhe Provincës së Khorasanit të Shtetit Islamik dhe se kishte “dëshmi bindëse” se sulmet e militantëve ndaj Pakistanit ishin të drejtuara nga “udhëheqja dhe manovruesit me bazë në Afganistan”.
Kabuli vazhdimisht ka mohuar se i lejon militantët që ta përdorin territorin afgan për të kryer sulme ndaj Pakistanit./Nacionale