Aeroplani i Putinit përcillet nga katër luftarakë Su-35S gjatë fluturimit drejt Lindjes së Mesme - NACIONALE

Aeroplani i Putinit përcillet nga katër luftarakë Su-35S gjatë fluturimit drejt Lindjes së Mesme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Aeroplani kryesor i Kremlinit, “Ilyushin-96”, me të cilin po udhëtonte presidenti rus, Vladimir Putin, nga Rusia drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, u përcoll nga katër aeroplanë luftarakë të tipit Su-35S.

Presidenti rus po realizon një udhëtim të rrallë jashtë vendit, gjatë të cilit do të diskutojë për naftën, Gazën dhe Ukrainën me princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, raporton agjencia “Reuters”.

Në Abu Dabi, presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, e mirëpriti “mikun e dashur” dhe aeroplanët e këtij vendi e përshëndetën shefin e Kremlinit me një fluturim që i la pas vetes ngjyrat e flamurit rus.

“Marrëdhëniet tona, kryesisht për shkak të pozicionit tuaj, kanë arritur një nivel të lartë të pashembullt. Emiratet e Bashkuara Arabe janë partnerja kryesore tregtare e Rusisë në botën arabe”- tha Putini.

Ai shtoi se Rusia dhe Emiratet e Bashkuara bashkëpunojnë si pjesë e organizatës OPEC+, anëtarët e së cilës prodhojnë më shumë se 40 për qind të naftës në botë, duke shtuar se udhëheqësit do të diskutonin për konfliktin Izrael – Hamas dhe për Ukrainën.

Pas Emirateve të Bashkuara, Putini pritet të udhëtojë drejt Arabisë Saudite për takimin e parë sy më sy me princin Mohammed bin Salman që nga tetori i vitit 2019. Vizita e tij e fundit në rajon ishte në korrik të vitit 2022, kur u takua në Iran me liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Lajme të ngjashme