Aeroplanët, veturat e pijet amerikane në listën miliardëshe të BE-së për taksa të mundshme - NACIONALE

Aeroplanët, veturat e pijet amerikane në listën miliardëshe të BE-së për taksa të mundshme

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Aeroplanë, makineri, vetura, lëndë kimike e pajisje mjekësore janë në listën më të re të mallrave amerikane ndaj të cilave Komisioni Evropian ka propozuar që t’u vendosë taksa, nëse bisedimet me Uashingtonin nuk prodhojnë një marrëveshje për tregtinë.

Kjo pako është e dyta që është paraqitur nga Komisioni Evropian, organ që e planifikon politikën tregtare të Bashkimit Evropian me 27 shtete anëtare. Pakoja është e hartuar për t’iu kundërpërgjigjur taksave të ShBA-së ndaj veturave dhe pjesëve të tyre si dhe një takse bazë, e cila tani për tani është në nivelin prej 10 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, megjithatë, tani po kërcënon se do t’u vendosë një taksë bazë prej 30 për qind importeve nga Bashkimi Evropian duke filluar nga 1 gushti. Zyrtarët evropianë thonë se ky nivel është i papranueshëm dhe do t’i japë fund tregtisë normale mes dy tregjeve më të mëdha në botë.

Lista, e cila u është dërguar shteteve të BE-së dhe që u pa të martën nga agjencia e lajmeve “Reuters”, i mbulon importet amerikane me vlerë të 72 miliardë eurove. Aty përfshihen pajisje elektronike dhe precize si dhe produkte ushqimore e bujqësore – një varg pemësh e perimesh, bashkë me verën, birrën e rakinë – me vlerë të përgjithshme prej 6,35 miliardë eurosh.

Pakoja e parë me vlerë të 21 miliardë eurove të mallrave amerikane u miratua në prill, por pastaj u pezullua menjëherë që të lejohej hapësirë për bisedime. Afati i pezullimit është zgjatur deri më 6 gusht.

Zyrtarë të BE-së thanë të hënën se ende ishin duke u munduar që të arrinin një marrëveshje për ta shmangur goditjen e rëndë të Trumpit me taksa, por shefi i tregtisë në BE, Maros Sefcovic, tha se shtetet anëtare ishin pajtuar se blloku do të kishte nevojë për të ndërmarrë kundërmasa, nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara dështojnë.

Komisioni Evropian fillimisht e kishte paraqitur për konsultim pakon e dytë të sanksioneve në maj. Propozimi pastaj u lidh me 95 miliardë euro mallra amerikane. Madhësia e saj më pas u tkurr, edhe pse shumica e produkteve kryesore kanë mbetur në listë./Nacionale

Lajme të ngjashme