Aeroplanët rusë e sirianë bombardojnë zona të rebelëve, së paku 25 të vrarë në Siri
Të paktën 24 njerëz u vranë në veriperëndim të Sirisë nga sulmet ajrore që u kryen nga forcat qeveritare dhe ato ruse, tha të hënën shërbimi pro-opozitar i shpëtimit, i njohur si “Helmetat e Bardha”.
Aeroplanë rusë e sirianë e goditën të dielën qytetin e kontrolluar nga rebelët në veri të Sirisë, Idlib, thanë burimet ushtarake, ndërsa presidenti Bashar al-Assad u zotua për shtypjen e kryengritësve që kanë hyrë në qytetin Aleppo, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria siriane gjithashtu tha se kishte rimarrë nën kontroll disa qyteza ku kishin depërtuar rebelët ditëve të fundit.
Banorët thanë se një sulm goditi një zonë me popullsi të dendur në qendër të Idlibit, qyteti më i madh në një enklavë të rebelëve afër kufirit turk, ku rreth katër milionë njerëz jetojnë në tenda dhe vendbanime të improvizuara.
Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, sipas ekipeve të shpëtimit në vendin e ngjarjes. Ushtria siriane dhe aleatja e saj, Rusia, thonë se ato vënë në shënjestër vende ku fshihen grupet kryengritëse dhe mohojnë se i sulmojnë civilët.
Dhjetë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve nga sulmet ajrore dhe Idlib dhe përreth tij si dhe në caqe të tjera në territorin e kontrolluar nga rebelët afër Aleppos të dielën, sipas “Helmetave të Bardha”.
Numi i përgjithshëm i të vdekurve nga sulmet siriane e ruse nga 27 nëntori ka shkuar në 56, përfshirë 20 fëmijë, tha ky grup në një deklaratë të publikuar në rrjetin X.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte rrëfimet nga fusha e betejës.
Kryengritësit përbëhen nga një koalicion i grupeve të armatosura sekulare të përkrahura nga Turqia, bashkë me grupin Hayat Tahrir al-Sham, i cili konsiderohet si terrorist nga ShBA-ja, Rusia, Turqia dhe nga vende të tjera./Nacionale