“Absurde”: Politikanët norvegjezë kundër dhënies së Çmimit Nobel për Paqe Trumpit - NACIONALE

“Absurde”: Politikanët norvegjezë kundër dhënies së Çmimit Nobel për Paqe Trumpit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Udhëheqës politikë në Norvegji e kanë dënuar vendimin “absurd” të udhëheqëses së opozitës venezuelase, Maria Corina Machado, për t’ia dhuruar Çmimin e saj Nobel për Paqe Donald Trumpit, duke e akuzuar presidentin amerikan se po tregohet “mburravec klasik” që i merr meritat e veprave të të tjerëve.

Laureatja e Nobelit ia dha medaljen e saj Trumpit të enjten në Shtëpinë e Bardhë “në njohje të përkushtimit të tij unik ndaj lirisë sonë”. Disa orë më vonë, Trumpi shkroi në rrjetin “Truth Social”, duke thënë se Machado “ma prezantoi mua Çmimin e saj Nobel për punën që e kam bërë. Një gjest aq i mrekullueshëm i respektit të ndërsjellë”, raporton gazeta “The Guardian”.

Qendra e Nobelit për Paqe tha në rrjetet sociale se “një medalje mund t’i ndërrojë pronarët, por titulli i laureatit të çmimit Nobel për paqe nuk mundet”. Organizatorët e çmimit, Komiteti Norvegjez i Nobelit dhe Instituti Norvegjez i Nobelit, tashmë kishin thënë se çmimi “nuk mund të tërhiqet, të ndahet ose të transferohet”, kur Machado fillimisht e kishte zbuluar planin e saj.

Kirsti Bergsto, kryetare e partisë E Majta Socialiste në Norvegji dhe zëdhënëse e saj për politikë të jashtme, tha: “Kjo është, mbi të gjitha, absurd. Çmimi për paqe nuk mund të dhurohet.”

Trygve Slagsvold Vedum, kryetar i partisë Qendra, tha: “Kushdo që e ka marrë çmimin, e ka marrë. Fakti që Trumpi e pranoi medaljen thotë diçka për të si tip i personit: mburravec klasik që dëshiron ta zbukurojë veten me nderet dhe punën e njerëzve të tjerë.”

Raymond Johansen, ish-kryetar i Oslos nga radhët e Laburistëve, i cili tani është sekretar i përgjithshëm i Ndihmës së Popullit Norvegjez, tha se kjo situatë është “e turpshme dhe e dëmshme në mënyrë të pabesueshme”.

Ai tha se veprimet e Machado-s mund ta dëmtojnë reputacionin e Çmimit Nobel për Paqe dhe të Komitetit të Nobelit./Nacionale

Lajme të ngjashme