A po ua kthen Arabia Saudite ngadalë shpinën palestinezëve për një pakt të mbrojtjes me ShBA-në?
Arabia Saudite do të ishte e gatshme që të pranonte një zotim politik nga Izraeli për formimin e një shteti palestinez, e jo ndonjë gjë më detyruese, në përpjekje për të siguruar një pakt të mbrojtjes me Uashingtonin para zgjedhjeve presidenciale në ShBA, kanë thënë tri burime.
Muajt e diplomacisë së udhëhequr nga amerikanët për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite e Izraelit dhe për ta njohur këtë shtet për herë të parë u vendosën në sirtar nga Riadi në tetor, pas shtimit të zemërimit të arabëve për luftën në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, Arabia Saudite është gjithnjë më e interesuar për ta fuqizuar sigurinë dhe për t’i shmangur kërcënimet nga Irani në mënyrë që mbretëria të vazhdojë me planin ambicioz për ta transformuar ekonominë e vet e për të tërhequr investime të mëdha nga jashtë, thanë dy burime rajonale.
Për të krijuar ca hapësirë manovrimi në bisedimet për njohjen e Izraelit dhe për ta kthyer në binar miratimin e paktit të mbrojtjes me ShBA-në, zyrtarë sauditë u kanë thënë homologëve të tyre amerikanë se Riadi nuk do të këmbëngulte që Izraeli të bëjë hapa konkretë për themelimin e një shteti palestinez dhe, në vend të kësaj, do të pranonte një zotim politik për një zgjidhje me dy shtete, i thanë agjencisë “Reuters” dy burime të larta rajonale.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë e madhe rajonale, e parë gjerësisht si shumë ambicioze edhe para fillimit të luftës Izrael – Hamas, përsëri do të ballafaqohej me shumë pengesa politike e diplomatike, përfshirë paqartësinë për rrjedhjen e konfliktit në Gaza.
Një pak që i jep eksportueses më të madhe të naftës në botë mbrojtje ushtarake nga ShBA-ja në këmbim të normalizimit me Izraelin do ta riformësonte Lindjen e Mesme përmes bashkimit të dy armiqve të vjetër dhe duke e lidhur Riadin me Uashingtonin në kohën kur Kina po hap rrugë në rajon.
Marrëveshja për normalizim do ta forconte edhe mbrojtjen e Izraelit kundër Iranit dhe do t’i jepte një fitore diplomatike presidentit amerikan, Joe Biden, me të cilën do të mburrej para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Zyrtarë sauditë i kanë bërë thirrje privatisht Uashingtonit që ta shtyjë Izraelin për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për t’u zotuar për një “horizont politik” për një shtet palestinez, duke thënë se Riadi pastaj do t’i normalizonte marrëdhëniet dhe do të ndihmonte për ta financuar rindërtimin e Gazës, tha njëri nga burimet rajonale.