A po përçahet Britania: Protestat pro-palestineze vazhdojnë pasi Sunaku e përmendi fjalën “ekstremistë” - NACIONALE

A po përçahet Britania: Protestat pro-palestineze vazhdojnë pasi Sunaku e përmendi fjalën “ekstremistë”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Protestat pro Palestinës pritet të vazhdojnë të shtunën në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, pas paralajmërimit të kryeministrit Rishi Sunak se demokracia po vihet në shënjestër nga “ekstremistë”.

Në një fjalim drejtuar popullit të premten, kryeministri foli për “forca këtu që po mundohen të na bëjnë copë-copë”, pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke folur para ndërtesës qeveritare, Sunaku tha se “vetë demokracia jonë është shënjestër” dhe qortoi një “shtim shokues të pengimit dhe kriminalitetit ekstremist” rishtazi.

Fitoren e deputetit George Galloway e përshkroi si “përtej alarmueses”. Kryeministri u foli drejtpërdrejt atyre që po marrin pjesë në protestat pro-palestineze, duke u bërë thirrje organizatorëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe “me empati”.

Ai tha se u kishte thënë shefave të lartë të policisë se publiku pret që protestat të policohen e jo thjesht të menaxhohen.

“Dua që t’u flas drejtpërdrejt atyre që zgjedhin për të vazhduar që të protestojnë: mos i lejoni ekstremistët që t’ua rrëmbejnë marshimet tuaja. Në javët e ardhme keni një mundësi për të treguar se mund të protestoni në mënyrë dinjitoze, paqësore dhe me empati për bashkëqytetarët tuaj” – shtoi kryeministri britanik.

“Le të dëshmojmë se këta ekstremistë e kanë gabim dhe t’u tregojmë që edhe kur nuk pajtohemi, kurrë nuk do të jemi të përçarë” – tha më tej Sunaku.

Kryeministri tha se duhet të bëhet një vijë në mënyrë që, përderisa njerëzit duhet të jenë në gjendje që të “marshojnë dhe të protestojnë me pasion” në përkrahje të Gazës, protestuesit “nuk mund të bëjnë thirrje mër xhihad të dhunshëm” për t’i justifikuar veprimet e Hamasit ose “të bëjnë thirrje për çrrënjosjen e një shteti ose ndonjë lloj të urrejtjes ose antisemitizmit”.

Kryetari i Partisë Laburiste në opozitë, Keir Starmer, u duk se e përkrahu porosinë e kryeministrit Sunak për unitet në vend.

Ai tha: “Kryeministri e ka me vend që ta mbrojë unitetin dhe ta dënojë sjelljen e papranueshme dhe frikësuese që e kemi parë rishtazi.”

Megjithatë, komentet e Sunakut morën edhe kritika, sidomos nga ata që ky i kishte vënë në shënjestër, përfshirë deputetin Galloway, i cili fitoi gati 40 për qind të votave në një zonë që ka popullsi të fuqishme myslimane.

Galloway e akuzoi Sunakun se popullsinë myslimane të Britanisë po e përdor si “dash kurbani” dhe po i trajton myslimanët si “votues të klasës së dytë”.

Kryeministri u kritikua edhe nga kryetari i Liberal-demokratëve, Ed Davey, i cili tha: “Populli britanik nuk do të marrë mësime nga një kryeministër dhe nga një Parti Konservatore që i kanë mbjellë farat e përçarjes me vite.”

Ben Jamal, drejtor i Fushatës së Solidaritetit për Palestinën, iu kundërpërgjigj fjalimit të kryeministrit duke sugjeruar që ai “të shikohet në pasqyrë” dhe të dëbojë disa deputetë të lartë nga partia e tij.

Lajme të ngjashme