A po i mbaron Rusisë stoku i armëve?
Gjatë kësaj jave Rusia nisi një valë sulmesh kundrejt Ukrainës, por disa ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se vendit janë duke i mbaruar furnizimet me armë, veçanërisht ato të raketave të avancuara dhe precize.
Çfarë armësh ka përdorur Rusia?
Pas shtimit të sulmeve raketore në Ukrainë, gjatë ditëve të fundit, janë ngritur pyetje rreth llojit të armëve që Rusia ka përdorur.
Ekspertët e mbrojtjes kanë vënë në dukje përdorimin e raketave tokë-ajër për të goditur objektivat tokësore si një tregues i mungesës së municioneve më të përshtatshme.
"Gjëja më e dukshme në sulmet e fundit është rritja e përdorimit të një sërë raketash kundër objektivave tokësore," ka thënë Douglas Barrie, një ekspert ushtarak në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
Për të goditur objektiva tokësore anëembanë Ukrainës, Rusia që në fillim të luftës ka përdorur raketa precize, por gjatë verës sulmet u ulën gjë që bëri të mendohet se rezervat ruse tashmë ishin varfëruar.
"Ne e dimë - dhe komandantët rusë në terren e dinë - se furnizimet dhe municionet e tyre po mbarojnë," ka thënë Sir Jeremy Fleming, kreu i agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ.
Russian S-300 missile falls on office building in Kharkiv
— Euromaidan Press (@EuromaidanPress) October 8, 2022
A 45-year-old man was injured by shrapnel after Russia launched five S-300 missiles from Belgorod. They struck office, residential, business, school premises https://t.co/8MQykpFgaC pic.twitter.com/2qW6hpxImI
A ka dëshmi vizuale?
Stoku i raketave të Rusisë është një sekret dhe nuk dihet se në çfarë informacionesh bazohen shërbimet e inteligjencës perëndimore për të dhënë vlerësimet e tyre, por disa të dhëna kanë dalë nga imazhet e sulmeve të fundit.
Janë shpërndarë disa fotografi, ku tregoheshin mbetje të raketave S-300 në tokë në Ukrainë –armë të cilat janë krijuar për sulme në ajër, por që mendohet se janë ripërdorur nga Rusia për të goditur objektiva tokësore.
E disa ekspertë thonë se, Rusia po i ripërdorë këto municione sepse kanë mungesë të raketave precize.
"Unë jam i sigurt se ata kanë mbaruar stoqet e tyre, e kanë parë aftësinë e tyre për të prodhuar më shumë ... dhe kanë kuptuar se mënyra më e mirë për të pasur këtë efekt është ripërdorimi i gjërave si raketat S-300," është shprehur Louise Jones në McKenzie Intelligence Services.

A mund të jenë këto raketa ukrainase?
Si Rusia ashtu edhe Ukraina posedojnë armët S-300 dhe në sulmet e fundit kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkaktimin e dëmeve me to.
Pretendime ka pasur se ukrainasit janë duke përdorur S-300 për të rrëzuar raketat ruse të cilat më pas bien në tokë dhe shkaktojnë viktima civile.
Duke folur për BBC-në, Evgeny Popov, një zyrtare në parlamentin rus, ka thënë se dëmtimi i zonave civile si këndet e lojërave për fëmijë ishte "punë e sistemeve [ukrainase] anti-raketë".
Ndërsa, ekspertët e armëve thonë se është shumë e vështirë, të dallohet origjina e një rakete nga mbetjet e saj.

Çfarë armësh të tjera ka përdorur Rusia?
Rusia e nisi luftën në Ukrainë me një breshëri sulmesh raketore. Pentagoni vlerësoi se rusët kishin lëshuar rreth 600 raketa në 11 ditët e para të konfliktit që filloi në shkurt.
E ndërsa sulmet vazhduan nga toka, deti dhe ajri - me shumë nga këto të fundit nga territori rus, lloji i armëve ruse të lëshuara përfshin raketa balistike dhe lundruese nga platformat e lëshimit Iskander, dhe raketa lundrimi Kalibr nga anijet dhe nëndetëset e stacionuara në Detin e Zi.

Dihet se në prill, janë lëshuar edhe raketa lundrimi nga ajri KH-101 dhe KH-555, si dhe raketa Tochka-U, përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 50 njerëzve në stacionin hekurudhor Kramatorsk.

Këto janë raketa të vjetra të dizajnuara fillimisht për të sulmuar anijet, në vend të objektivave tokësore, gjë që ka nxitur edhe më tej pikëpamjen se rezervat ruse të armëve moderne mund të jenë duke mbaruar.
