A mundet Rishi Sunak t'i japë fund kaosit në Britani?
Ngritja e Rishi Sunak në postin kryesor në politikën britanike është e jashtëzakonshme. Vetëm para shtatë javësh ai u mund bindshëm nga Liz Truss në garën për udhëheqje të Partisë Konservatore, por sot ai doli si fitimtar në një garë të shpejtë lidershipi pas dorëheqjes së Truss.
Njeriu që ka shërbyer si ministër i financave nën Boris Johnson për gati dy vjet e gjysmë, që më pas dha dorëheqje për të rrëzuar qeverinë Johnson, tani do të përballet me një detyrë të rëndë për të marrë nën udhëheqje një komb jo të qetë pas mandatit katastrofik të Truss.
Supozohet se ai do ta bëjë këtë, duke zbatur pikërisht planin ekonomik që ka përshkruar gjatë garës për udhëheqje të mbajtur në fillim të këtij viti. Atëkohë Sunak doli kritik ndaj planeve ekonomike të Truss, duke thënë se do të shkaktonte një kërdi ekonomike dhe kishte të drejtë.
Qeveria e Truss bëri që paundi të binte në nivelin më të ulët në dekada, duke rrëzuar çmimet e bonove, rritur kostot e huamarrjes e duke shtyrë fondet e pensioneve në prag falimentimi.
Siç edhe kishte parashikuar Sunak, rritja e normave të interesit nxiti shlyerjet e hipotekave dhe huadhënësit u përpoqën të tërhiqnin produktet e tyre nga tregu, duke shkatërruar shpresat e shumë pronarëve të ardhshëm të shtëpive pothuajse brenda natës.
Edhe pse reputacioni ndërkombëtar i Britanisë tashmë ishte goditur përpara se Truss të vinte në detyrë – me skandalet e pafundme që detyruan Johnson të japë dorëheqje, kjo nuk do të thotë se Mbretëria e Bashkuar është e parëndësishme në skenën botërore. Për shembull, mbështetja e qeverisë për Ukrainën i ka dhënë Britanisë – dhe veçanërisht Johnsonit, lëvdata nga udhëheqësit e tjerë perëndimorë.
Por tani, ngritja e Sunak në detyrë mund t'i atribuohet drejtpërdrejt kaosit të muajve të fundit. Ai shihet si “njeri i sigurtë”, pasi ka fituar lëvdata për trajtimin e tij të ekonomisë gjatë pandemisë së Covid-19, duke ndihmuar bizneset dhe qytetarët me programe të mëdha shpenzimesh qeveritare që kanë kursyer shumë mjete jetese. E tani, detyra e tij tani është e qartë: të sjellë qetësi.
Megjithatë, fatkeqësisht për Sunak, ai ka trashëguar një parti politike që i ka kaluar vitet e fundit në tensione. Partia Konservatore e vitit 2022 përkufizohet nga fraksionizmi dhe besnikëria e ndarë që e bëri atë të paqeverisshme si për Johnson ashtu edhe për Truss.
Partia është e ndarë në shumë më tepër linja sesa majtas dhe djathtas, por mendohet se Sunak mund te ketë më së shumti vështirësi me krahun populist Brexit të partisë që adhuronte Johnsonin.
“Realiteti është se elementët më të vështirë të së djathtës së Brexiti ndoshta nuk kanë mbështetur askënd, sepse ata e dinë se me kryeministrin e ri po vjen një mosmarrëveshje për Brexit”, është shprehur Salma Shah, një ish-këshilltare konservatore për CNN.
Ajo thotë se, “Sunak mund të përpiqet të neutralizojë këta njerëz, të cilët nuk do ta falin atë për “tradhtimin” e Borisit apo kufizimin e tij fiskal, duke emëruar një kabinet që i qetëson ata. Potencialisht, të gëlltisë krenarinë e tij dhe të gjejë diçka edhe për Boris Johnson dhe Liz Truss".
Sipas saj, nëse Sunak nuk do ta bëjë një gjë të tillë, atëherë Johnson mund t’i shkaktojë probleme.
Në një botë ideale për Sunakun, ai do të sillte stabilitet ekonomik dhe bashkë me të edhe stabilitet politik. Por analistët afatgjatë të politikës britanike e dijnë se të dyja këto nuk shkojnë gjithmonë krah për krah.
“Ai do të duhet të zbatojë politika për shkak të mini-buxhetit të Truss që do të jetë politikisht jopopullor me grupe të ndryshme për arsye të ndryshme,” është shprehur Vicky Pryce, ish-kreu i përbashkët i Shërbimit Ekonomik të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Pryce tha se, kjo mund të nënkuptojë masa shtrënguese për të balancuar librat, taksat e papritura mbi firmat e energjisë dhe ndryshimin e idesë së Truss për të hequr kufizimet në bonuset e bankierëve.
"Ai duhet të balancojë politikat që mund të zemërojnë deputetët konservatorë kundër politikave që mund ta kthejnë publikun kundër tij."
Disa mendojnë se publiku do të vlerësojë pak paqen dhe qetësinë nga kaosi politik, ndërsa disa janë të vetëdijshëm se njeriu që rrëzoi Johnson ia doli. Disa besojnë se Sunak do të jetë shumë i butë ndaj Brexit e disa besojnë se zgjedhjet e ardhshme tashmë janë të humbura.
Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme janë të paktën edhe dy vjet. Kjo është kohë më se e mjaftueshme që Sunak të rivendosë vlerësimet e tmerrshme të sondazheve ndaj konservatorëve në diçka më konkurruese. Por ai do të duhet ta bëjë këtë bashkë me partinë e tij.

