A mund të mbijetojë bota pa naftën dhe gazin rus?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë njoftuar se do të kufizojnë importet e naftës dhe gazit rus.
Ky veprim erdhi pas paralajmërimit të Rusisë se mund të ndërpresë furnizimin me gaz për vendet evropiane nëse do të zbatohej një ndalim i naftës.
Çfarë sanksionesh ka deri tani për naftën dhe gazin rus?
Pas thirrjes së Ukrainës për shtimin e sanksioneve, ShBA-ja ka njoftuar ndalimin e plotë të importeve të naftës, gazit dhe qymyrit nga Rusia.
Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditur se do të heqë gradualisht naftën ruse deri në fund të vitit, duke shtuar se kjo do ti japë kohë të mjaftueshme për të gjetur furnizime alternative. Ndërsa, BE-ja po bënë një reduktim me dy të tretat, shkruan BBC.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, i cili ka thënë se refuzimi i naftës ruse do të sjellë “pasoja katastrofike për tregun global”.
Sa është eksporti i naftës ruse?
Pas ShBA-së dhe Arabisë Saudite, Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë.
Nga rreth pesë milionë fuçi naftë bruto që eksporton çdo ditë, më shumë se gjysma e saj shkon në Evropë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, importet ruse përbëjnë 8% të kërkesës totale për naftë, kurse Shtetet e Bashkuara janë më pak të varura, me një import prej 3% në vit.
Çfarë mund të themi për furnizimet alternative të naftës?
Analisti i kërkimit të politikave energjetike Ben McWilliams thotë se pasi nuk ka shumë tubacione, është më e lehtë të gjenden alternativa për furnizimin me naftë se sa për gazin.
Më herët, ShBA i ka kërkuar Arabisë Saudite të rrisë prodhimin e saj të naftës në mënyrë që të ulë çmimet, por kjo e fundit i ka refuzuar kërkesat.
Arabia Saudite është prodhuesi më i madh në kartelin e naftës OPEC, i cili përbën rreth 60% të naftës së papërpunuar të tregtuar ndërkombëtarisht. Për shkak të kësaj, OPEC ka një rol kyç në ndikimin e çmimeve të naftës. Megjithatë sa i përket Rusisë, ajo nuk është pjesë e OPEC, por që nga viti 2017 ka punuar me të në mënyrë që të vendosë kufizime në prodhimin e naftës dhe të ruajë fitimet e prodhuesve.
Në anën tjetër, ShBA po shikon lehtësimin e saknsioneve të naftës që vjen nga Venezuela, vend i cili dikur ishte furnizues kryesor i Amërikës, ndërsa kohët e fundit është bërë një furnizues i madh për Kinën.

Çfarë do të ndodhte nëse gazi rus ndalon të rrjedhë në Evropën Perëndimore?
Çmimet e ngrohjes, të cilat tashmë janë të larta do të rriteshin edhe më shumë. Kujtojmë se gazi rus përbën rreth 40% të importeve të gazit natyror të BE-së. Në rast të ndaljes së tij, vendet që do të cënoheshim më shumë do të ishin Gjermania dhe Italia.
Në një rast të tillë, Evropa mund t’u drejtohet eksportuesve ekzistues të gazit si Katari, Algjeria dhe Nigeria, por do të përballej me pengesa praktike për një zgjerim të shpejtë të prodhimit.
Sa i përket Britanisë së Madhe, ajo importon vetëm 5% të furnizimeve me gaz nga Rusia, ndërsa ShBA nuk importon fare. Megjithatë, çmimet në të dy vendet janë në rritje të konsiderueshme për shkak të mungesës së furnizimit.

A mund të gjenden alternativa të gazit rus?
Jo shumë lehtë.
"Është më e vështirë të zëvendësosh gazin sepse ne kemi këta tuba të mëdhenj që po e çojnë gazin rus në Evropë," thotë zoti McWilliams.
Te gjeturat nga kompania e cila merret me studime ekonomike, Bruegel, parashikojnë se nëse Rusia do të ndalonte furnizimet me gaz në Evropë, atëherë ky kontinent mund të importojë më shumë gaz natyror të lëngshëm nga ShBA.
Gjithashtu mund të rritet përdorimi i burimeve të tjera të energjisë, por diçka e tillë nuk bëhet as shpejtë e as lehtë.
"Burimet e rinovueshmet kërkojnë kohë për t'u përhapur, kështu që në afat të shkurtër kjo nuk është një zgjidhje," thotë analistja kërkimore Simone Tagliapietra.
"Pra, për dimrin e ardhshëm - ajo që mund të ndryshohet është mos-përdorimi i karburantit dhe hapja e termocentraleve me qymyr, siç kanë plane të bëjnë Italia dhe Gjermania në rast emergjence."
Për ta bërë Evropën e pavarur nga lëndët djegëse ruse, BE-ja ka propozuar një plan për realizim deri në vitin 2030, i cili përfshinë masa për diversifikim të furnizimeve me gaz dhe për të zëvendësuar gazin për ngrohje dhe prodhim të energjisë.